Lidhje

Protestat e nxënësve të Floridës për kontroll ndaj armëve përhapen edhe në shtete të tjera


Qindra nxënës të shkollës së mesme “Marjory Stoneman Douglas” të Parkland-it, u mblodhën të mërkurën në kryeqytetin e Floridës, Tallahasi, për të ushtruar presion ndaj ligjvënësve për miratimin e ligjeve më të ashpra për kontrollin e armëve. Tubimi vjen vetëm një javë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse në shkollat amerikane.

Një person i armatosur vrau 17 vetë në shkollën e Parklandit, duke shkaktuar një valë protestash të nxënësve jo vetëm në Tallahasi. Mësuesit dhe ligjvënësi i shtetit të Floridës demokrati Sean Shaw iu bashkuan nxënësve në kryeqytet.

"Ne patëm një shans për të bërë diçka dhe nuk e bëmë", tha ligjvënësi demokrat lidhur me një votim të Dhomës së ulët legjislative të shtetit të Floridës, që nuk morri parasysh një projekt-ligj që kërkonte ndalimin e shitjes së armëve sulmuese. "Kjo është arsyeja pse ju jeni këtu. Shkoni dhe të kërkoni të veprohet! Kjo është për ju, kjo nuk është për ne", tha ai.

Ngjarja e pak ditëve më parë, ka ngjallur gjithashtu një valë tubimesh në qytete të ndryshme të Floridës, por edhe në shtete të tjera, në një përpjekje për të detyruar udhëheqësit vendorë dhe kombëtarë të marrin masa për të parandaluar sulme të tilla.

Nënat nga mbarë shteti i Xhorxhias u mblodhën në kryeqytetin e shtetit, Atlanta, të mërkurën për të marrë pjesë në tubimin e grupit “Nënat Kërkojnë Veprim”. Tubimi përkrahu idenë e një pronësie të përgjegjshme mbi armët, por jo ndalimin e tyre.

Më shumë se 200 nxënës të shkollës së mesme të “Montgomery Blair” në Silver Spring, në periferi të Uashingtonit, lanë mësimin të mërkurën për të marrë pjesë në një protestë në kryeqytetin amerikan. Sipas organizatorëve në protestë morën pjesë edhe nxënës nga dy shkolla të tjera të mesme në periferi të Maryland-it, Richard Montgomery dhe Bethesda-Chevy Chase.

"Ne (nxënësit) jemi ata që janë përfshirë më shumë, në gjithë këtë," thotë për Zërin e Amerikës nxënësja Ariana Ortega, para se të hipte në një nga autobusët që udhëtuan drejt kryeqytetit të Floridës. "Ne jemi ata që i mbijetuan kësaj eksperience tragjike dhe ne do të jemi udhëheqësit e ardhshëm të Amerikës", tha ajo.

Nxënësit ndodheshin në një nga ambjetet e Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit të Floridës të martën ndërsa ligjvënësit hodhën poshtë një propozim të demokratëve për të shqyrtuar një projekt-ligj për ndalimin e armëve të sulmit. Republikanët akuzuan demokratët se po e nxisin çështjen pasi 19-vjeçari Nikolas Cruz supozohet të ketë përdorur një armë të tillç, AR-15, për të kryer sulmin në shkollën Stoneman Douglas.

Lizzie Eaton, një nxënëse e shkollës, e quajti votimin "tronditës". Por ajo tha se: "Nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë të luftojmë për atë që ne besojmë. Nuk do ta lejojmë që kjo të na vërë poshtë".

Studentët gjithashtu po planifikojnë një tubim në 24 mars në Uashington dhe qytete të tjera të mëdha të quajtur "Marshimi për jetët tona".

Yjet e muzikës si Justin Bieber, Lady Gaga dhe Cher e kanë mbështetur marshimin. Aktori George Clooney dhe bashkëshortja e tij Amal, një avokate e të drejtave të njeriut, thanë se do të dhurojnë 500 mijë dollarë për të ndihmuar në organizimin e tij, po kështu personaliteti televiziv Oprah Winfrey tha se do të japë të njëjtën sasi parash.

"Familja jonë do të jetë atje më 24 mars që të qëndrojë krah për krah me këtë brez të pabesueshëm të rinjsh nga i gjithë vendi", tha aktori Clooney.

Sipas një sondazhi të Washington Post dhe ABC News, i publikuar të hënën, 86 për qind e të anketuarve që e identifikuan veten si demokratë thanë se “ligjet më të rrepta të kontrollit të armëve mund ta kishin parandaluar sulmin në Florida”, ndërsa 67 për qind e republikanëve thanë se “ligjet më të rrepta nuk do të mund ta kishin parandaluar masakrën”.

Megjithatë më shumë se tre të katërtat e të dy grupeve, thanë se shqyrtimi dhe trajtimi më efektiv i problemeve të shëndetit mendor mund ta kishte parandaluar sulmin.

Në përgjithësi, 77 për qind e të anketuarve thanë se Kongresi nuk po bën mjaftueshëm për të parandaluar sulme të kësaj natyre në Shtetet e Bashkuara, ndërsa 62 për qind thanë se zoti Trump nuk po bën sa duhet.

Sipas policisë, i dyshuari për të shtënat Nikolas Cruz ka pranuar se ka vrarë 14 nxënës dhe tre të rritur në shkollën e mesme nga e cila ishte dëbuar një vit më parë. Ai pati mundësi të blinte një pushkë AR-15 edhe pasi ndaj tij ishte kryer një kontroll mbi të shkuarën.

Në Uashington, ligjvënësit demokratë bëjnë shpesh thirrje për kontrolle më të rrepta për blerjet e armëve, ndërkohë që republikanët shpesh i kundërshtojnë, duke thënë se do të shkelej Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane nëse vendoseshin sanksione ndaj pronësisë mbi armët.

XS
SM
MD
LG