Lidhje

Lëvizja e SHBA për ambasadën në Jeruzalem shqetëson Turqinë


Qeveria turke e quajti "jashtëzakonisht shqetësuese" faktin që Shtetet e Bashkuara do të hapin një ambasadë në Jeruzalem në maj në Izrael dhe jo në fund të vitit të ardhshëm siç u njoftua më parë.

“Ky vendim tregon këmbënguljen e administratës amerikane për të dëmtuar themelet e paqes duke shkelur ligjin ndërkombëtar, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Jeruzalemin", tha në një deklaratë ministria e jashtme e Turqisë.

Nënpresidenti Mike Pence i tha parlamentit izraelit muajin e kaluar se lëvizja e ambasadës do të ndodhë në fund të vitit 2019, por Departamenti i Shtetit tha të premten se administrata do të hapë ambasadën në maj për të përkuar me 70 vjetorin e shtetit të Izraelit.

Presidenti Donald Trump njoftoi njohjen e Jeruzalemit nga ana e Shteteve të Bashkuara si kryeqytetin e Izraelit në dhjetor, duke zemëruar aleatët arabë të Uashingtonit dhe palestinezët, të cilët dëshirojnë pjesën lindore të qytetit të vjetër si kryeqytetin e tyre.

"Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për të mbrojtur të drejtat legjitime të popullit palestinez ... kundër këtij vendimi jashtëzakonisht shqetësues nga SHBA," tha ministria.

Udhëheqja palestineze tha të premten se lëvizja e ambasadës një vit më parë sesa që ishte shpallur fillimisht ishte një "provokim për arabët".

Jeruzalemi konsiderohet i shenjtë nga të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët dhe është në qendër të konfliktit izraelito-palestinez.

Masa vazhdon të tensionojë më tej marrëdhëniet midis Shtetet e Bashkuara dhe Turqisë, të cilat tashmë kanë qënë në kundërshtim për një numër çështjesh, duke përfshirë edhe ofensivën më të fundit ushtarake të Turqisë kundër milicisë kurde të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Siri.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm që e njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, një lëvizje që ka krijuar gjithashtu mosmarrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian mbi përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG