Lidhje

Juncker vlerëson përparimin e Shqipërisë


Presidenti i Komisionit europian Jean-Claude Juncker deklaroi sot në mbrëmje në Tiranë, ndalesa e dytë e turneut të tij në vendet e Ballkanit perëndimor se “Shqipëria nuk pushon së arrituri përparime” dhe se “ajo ka ndërmarë reforma në shumë fusha që janë mbresëlënëse”. Këto deklarata ai bëri në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama. Vizitat e presidentit Juncker në 6 kryeqytetet e Ballkanit vjen pak javë pas publikimit nga ana e Komisionit të Strategjisë së Zgjerimit, ndërkohë që në muajin prill do të prezantohet raportet e ecurisë së secilit prej vendeve që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

Shqipëria shpreson që të marrë një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, pasi rekomandimi i mëparshëm i vjeshtës së 2016, e lidhte vendimin me realizimin e reformës në Drejtësi dhe në veçanti me zbatimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Sot që flasim, ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve më të larta të gjyqësorit shqiptar, që janë tërhequr nga procesi i Vettingut, që faktikisht, nuk do jenë më pjesë e sistemit gjyqësor, një tregues i qartë se Vettingu ka nisur të funksionojë si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit të një sistemi të ri e të pavarur të Drejtësisë. E informova po ashtu presidentin Juncker, se presim në javët në vazhdim dhe çeljen e cështjeve konkrete dhe rezultate konkrete nga ana e vetë komisioneve të Vettingut”, deklaroi zoti Rama në konferencën e përbashkët me zotin Juncker, i bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet. “Besojmë fort se e meritojmë rekomandimin e plotë e të pastër nga ana e Komisionit europian dhe shpresojmë se dhe vendet anëtare do i përgjigjen pozitivisht e në unanimitet, pasi i kemi kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë dhe çelja e negociatave hap një kapitull të ri përpjekjesh në rrugën drejt BE-së”, theksoi kryeministri shqiptar.

Vetë presidenti i Komisionit europian evitoi t’i paraprinte vendimit që do të merret. “Nëse vazhdohet në këtë rrugë të reformave, kjo do të lejojë që Komisioni të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur të bëj premtime boshe e të flas për data, por mund të inkurajoj që të vazhdohet me reformat e rëndësishme të ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar, për organet e gjyqësorit dhe me Vettingun”, u shpreh presidenti Juncker.

Për kreun e Komisionit europian, edhe zgjidhja e problemit të kufirit detar me Greqinë do të ishte një element më shumë në favor të Shqipërisë. Një çështje e cila po shoqërohet me debate në vend, pasi presidenti Ilir Meta pak ditë më parë deklaroi se kërkesa e Ministrisë së Jashtme për të marrë plotfuqinë për grupin që do të hyjë në bisedime teknike me palën greke, nuk ishte paraqitur në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese kur ajo rrëzoi marrëveshjen e arritur në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e kryeministrit Sali Berisha. “Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep Kushtetuta, disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizimit”, saktësoi zotit Rama duke njoftuar se “sqarimet e shkruara janë dhënë, janë në tryezën e presidentit. Kam besim se presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të kemi kohën e nevojshëm për nënshkrimin e një marrëveshje të re, bazuar fund e krye te vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.

Strategjia për Zgjerimin parashikon vitin 2025 si një datë të mundshme për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të zi. Por Presidenti Juncker shpjegoi se ajo “është një datë për të gjitha vendet që plotësojnë kriteret dhe nuk është çështja që nuk njihen meritat e Shqipërisë”. Edhë për kryeministrin Rama “Strategjia sqaron shprehimisht se bëhet fjalë për një process të bazuar të merita. Kush vrapon më shpejt arrin më shpejt. Në fotografinë e sotme të situatës, Serbia e Mali i Zi janë në pozitë më të përparuar, sepse kanë nisur negociatat, ndërsa ne i presim, por kjo nuk do thotë që ata janë përpara e ne pas, do të thotë që në gjendjen aktuale situata është kjo e i takon çdo vendi të vrapojë. Në rastin më të keq ne do hyjmë bashkë me Serbinë në rastin më të mirë përpara saj”, u shpreh zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG