Lidhje

Juncker mbyll vizitën në Shqipëri


Në Shqipëri presidenti i Komisionit europian Jean Claude Juncker i dha sot fund vizitës së tij në Tiranë, pjesë e një turi në të gjitha vendet e Ballkanit. Zoti Juncker u takua me Presidentin Ilir Meta I cili vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe inkurajuese vizitën e tij në Shqipëri. Presidenti Meta u shpreh se shpresonte që "falë përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori".

Shqipëria pret që të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni prillin e ardhshëm. Presidenti Juncker edhe gjatë konferencës së mbrëmshme evitoi të paralajmëronte vendimin për Shqipërinë duke theksuar se nëse vendi do të vazhdojë në rrugën e nisur të reformave kjo do të bënte të mundur rekomandimin për hapjen e bisedimeve.

Në vjeshtën e vitit 2016, rekomandimin për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, Komisioni europian e kushtëzoi me realizimin e reformës në Drejtësi dhe në veçanti me zbatimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kryeministri Rama u shpreh mbrëmë se “Shqipëria i ka kryer detyrat e shtëpisë. Besojmë fort se e meritojmë rekomandimin e plotë e të pastër nga ana e Komisionit europian dhe shpresojmë se dhe vendet anëtare do i përgjigjen pozitivisht e në unanimitet, pasi i kemi kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë dhe çelja e negociatave hap një kapitull të ri përpjekjesh në rrugën drejt BE-së”, theksoi kryeministri shqiptar.

Në vizitën e tij, Presidenti Juncker, shoqërohej dhe nga komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn i cili takoi sot kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Sipas njoftimit të shpërndarë nga PD për takimin, zoti Basha “i shprehu Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn mbështetjen e plotë të opozitës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Pavarësisht problemeve të keqqeverisjes në vend, shqiptarët aspirojnë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe kanë perqafuar vlerat e Bashkimit Europian”. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita beson se “hapja e negociatave do të ofrojë një mekanizëm të fortë dhe të pavarur për monitorimin e nivelit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të cilësisë së qeverisjes në Shqipëri”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG