Lidhje

Trump emëron kreun e fushatës për rikandidimin e tij në 2020-n


Presidenti Donald Trump ka emëruar strategun politik republikan Brad Parscale si menaxher të fushatës për rikandidimin e tij për Shtëpinë e Bardhë në 2020-n.

Në një deklaratë zyrtare zoti Parscale përmendej si një "talent i jashtëzakonshëm, i zgjedhur për shkak të suksesit të shënuar". Gjatë vitit të kaluar, 42-vjeçari Parscale ka ndihmuar në drejtimin e një grupi pro-Trump të quajtur "America First Action".

Ndërsa presidenti Trump ka ofruar pikëpamjet e tij për çështje të mëdha e të vogla në twitter, zoti Parscale ka përdorur Facebook-un duke synuar votuesit rural gjatë fushatës së suksesshme të zotit Trump në vitin 2016.

Dhëndri i zotit Trump, Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, tha se roli i Brad Parscale ishte "thelbësor për një qasje të disiplinuar në teknologji dhe në mbledhjen e të dhënave në fushatën e 2016-ës".

Brenda disa orësh nga inaugurimi i tij, 13 muaj më parë, zoti Trump tha se do të kandidojë për një mandat të dytë katërvjeçar.

Udhëheqësi amerikan ka mbajtur një zyrë për fushatë në kullën Trump që ndodhet në Nju Jork. Ai po mbledh miliona dollarë në një përpjekje të përbashkët për fushatën e tij të rizgjedhjes dhe për Komitetin Kombëtar Republikan.

Demokratë të shumtë kanë shqyrtuar mundësinë e një gare kundër Donald Trump-it, por shumica pritet t’i njoftojnë qëllimet e tyre pas zgjedhjeve të Kongresit që mbahen në muajin nëntor.

Zgjedhjet do të zhvillohen për një të tretën e vendeve të Senatit dhe gjithë Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh, një votë që do të tregojë shumë lidhur me qasjen e elektoratit, dy vjet përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të nëntorit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG