Lidhje

Kompania Dick's Sporting Good ndalon shitjen e armëve automatike


Kompania amerikane Dick’s Sporting Goods ka vendosur të ndalojë shitjen e armëve të stilit luftarak pas tragjedisë së shkurtit në Parkland të Floridas. Sulmi dhe pasojat e tij bënë që kompani të tjera amerikane të ndërprisnin programet e tyre me anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Armëve. Kjo ndodh ndërsa presidenti Donald Trump shprehu mbështetje për masat e reja ndaj kontrollit të armëve në një takim dypartiak me ligjvënësit në Uashington. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff njofton.

Si rezultat i vrasjes së 17 nxënësve në shkollën e mesme në Parkland të Floridas, kompania Dick’s Sporting Goods ka vendosur të ndalë shitjen e armëve të stilit luftarak apo çdo lloj arme tjetër për konsumatorët nën moshën 21 vjeçare në dyqanet e saj.

“E dimë se kjo nuk do t’i bëjë të gjithë të lumtur por kur shohim se çfarë bënë fëmijët, prindërit dhe herojnë e tyre në atë shkollë, pikëpamja jonë ndryshoi. Nëse fëmijët mund të jenë aq trima sa të organizohen siç kanë bërë deri tani, ne duhet të jemi aq të guximshëm saqë t’i heqim këto armë nga dyqanet tona”, tha Edward Stack, drejtor ekzekutiv i kompanisë Dick’s Sporting Goods.

Zoti Stack tha se kompania e tij analizoi efektet afatgjata kur e mori këtë vendim.

"Ne jemi mbështetës të vendosur të Amendamentit të Dytë. Unë vetë zotëroj armë. Por bazuar në atë që ka ndodhur me këto armë, kemi vendosur që të mos jemi pjesë e kësaj historie. I kemi eliminuar këto armë përgjithmonë", tha zoti Stack.

Autori i sulmit në Parkland Nikolas Cruz bleu një armë automatike nga kompania Dick’s në nëntor — jo armën që përdori në sulmin e 14 shkurtit.

Kompani të tjera kanë ndërprerë lidhjet me Shoqatën Kombëtare të Armëve si rezultat i sulmit. Kompanitë Delta dhe United Airlines, ajo e siguracioneve MetLife dhe kompanitë e makinave me qera Hertz, Enterprise dhe Avis, kanë ndërprerë programet e tyre me anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Armëve.

Në një deklaratë, kompania Walmart njoftoi se nuk do të shesë më armë për konsumatorët nën moshën 21 vjeçare.

Në Uashington, në një takim debatues me ligjvënësit, presidenti Trump shprehu mbështetje për disa masa të kontrollit të armëve, duke u bërë thirrje edhe vetë anëtarëve të partisë së tij.

"Unë e mbështes Shoqatën Kombëtare të Armëve. Jam admirues i madh i tyre. Ata janë patriotë të mëdhenj që e duan vendin. Por kjo nuk do të thotë se duhet të biem dakord për çdo gjë. Disa prej jush janë të frikësuar nga kjo shoqatë. Nuk duhet të ndjeheni të frikësuar", tha presidenti.

Politikat, si forcimi i kontrolleve të biografisë dhe heqja e armëve të sëmurëve mendorë janë përmendur shpesh në diskutimet mes ligjvënësve.

Por deri tani, Kongresi nuk ka ndërmarrë veprime legjislative konkrete për kontrollin e armëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG