Lidhje

Diskutim në Kongres për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës


Pavarësisht përparimit që ka bërë në dhjetë vitet e fundit si vend i pavarur, Kosova vazhdon të ndeshet me sfida si korrupsioni, sundimi i ligjit dhe procesi i ngadaltë i integrimit në Bashkimin Evropian. Në një diskutim të organizuar dje në Uashington nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Demokraci dhe Partneritet, me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pjesëmarrësit theksuan se duhet një angazhim më i madh i udhëheqësve të Kosovës në trajtimin e këtyre sfidave. Kolegu Festim Gashi sjellë hollësitë.

Diskutim në Kongres për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Në dhjetë vitet e saj si vend i pavarur, Kosova ka bërë arritje të mëdha në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të reja. Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Demokraci dhe Partneritet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik dhe Institutin Ndërkombëtar Republikan kanë ndihmuar parlamentin dhe institucione të tjera të Kosovës me trajnime dhe ekspertizë. Ligjvënësi David Price, i angazhuar në këto përpjekje në dhjetë vitet e fundit, tha se pavarësisht përparimeve, Kosova ende përballet me shumë sfida.

“Kosova duhet t’i kushtojë vëmendje vlerave të demokracisë. Duhet të sigurohet që pakicat të mos shtypen, që të ketë shtyp të lirë, zgjedhje të lira dhe të drejta. Dhe natyrisht, Kosova duhet të punojë për integrimin e zonave ku jetojnë serbët, për integrimin e tyre në parlament dhe për unifikimin e vendit.”

Ish-ligjvënësi Earl Pomeroy, tha se vendet e tjera po ndjekin nga afër proceset politike në Kosovë dhe duan të shohin më shumë përparim në të gjitha fushat.

“Ndërsa ne i hedhim sytë drejt një integrimi më të madh (të Kosovës) në Evropë, sundimi i ligjit dhe anti-korrupsioni do të jenë çështjet që do të ndiqen me kujdes nga të tjerët.”

Ligjvënësi David Price është dakord se Kosova ka probleme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit, por shtoi se vendi do të vazhdojë të ndeshet edhe me problemin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndikimin rus.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më efektive në anagazhimin e tyre kundër përpjekjes ruse për të ndërhyrë në çështjet e vendeve të Evropës qendrore dhe lindore. Uashingtoni duhet të ndihmojë më shumë në këtë fushë vendet si Kosova Maqedonia, Moldavia, Ukraina dhe vendet e tjera”.

Ndërsa, ish senatori republikan Mark Kirk, ish pilot që mori pjesë në bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999, tha se udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë më të organizuar dhe të punojnë më shumë për të ardhmen e vendit të tyre.

Në diskutimin për nder të dhjetë vjetorit të pavarësisë, foli edhe ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e cila tha se shpreson që angazhimi i ligjvenësve amerikanë për të ndihmuar parlamentin e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Shpresoj që në dhjetë vjeçarin e ardhshëm ky bashkëpunim të zhvendoset nga ai i asistencës në atë të partneritet rreth objektivave dhe qëllimeve tona të përbashkëta”.

Ligjvenësit thanë se Kosova duhet të forcojë institucionet dhe të jetë më aktive në proceset integruese, pasi vendi nuk ka një alternativë më të mirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG