Lidhje

Marrëveshja e Detit, Meta pret Komisionin e Jashtëm


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta priti sot anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit për t’i informuar rreth procesit që po i paraprin nisjes së bisedimeve për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Deputetët e të gjitha palëve shprehën dakortësinë me faktin se procesi duhet të zhvillohet sipas përcaktimeve të Gjykatës Kushtetues, ndonëse Partia Demokratike mbrojti sërish idenë e saj se zgjidhja më e mirë do të ishte që palët t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare.

Shqipëri: Takim për bisedimet mbi marrëveshjen e kufirit me Greqinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Pas pak më shumë se 90 minutash, anëtarët e Komisionit të Jashtëm dolën nga takimi me Presidentin Ilir Meta. Kreu i shtetit në një njoftim të shkurtër bëri të ditur se kishte informuar “deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet”, e duke nënvizuar “rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë”.

Edhe Kryetarja e Komisionit, deputetja socialiste Mimi Kodheli ndau të njejtim mendim për rëndësinë e marrëdhënieve me Athinën duke shpjeguar se “shtyllat e diskutimit ishin: marrëveshja duhet të mos dështojë, marrëveshja duhet të bëhet sa më parë të jetë e mundur në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe në të mirë të rajonit, në të mirë të përcaktimit të vijave të delimitimit, jo vetëm të Shqipërisë me Greqinë por të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm kështu mund të jemi më të sigurt në rrugën tonë drejt Europës, sepse vetëm kështu mund të jemi më të sigurt që ne marrim atë çfarë meritojmë, të tjerët marrin atë çfarë meritojnë dhe të gjithë bashkë mund të vazhdojmë drejt një rruge e cila nuk do të ketë më pikëpyetje dhe nuk do të ketë më diskutime”.

Rëndësisë së marëveshjes i mëshoi dhe deputetja e LSI-së, ish ministrja e Integrimit Klajda Gjosha: “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë sa më shumë që kjo marrëveshje të jetë jo vetëm e mirë, por sa më e drejtë jo vetëm për qytetarët shqiptarë por dhe për palën greke. Të mos harrojmë që Greqia është një vend fqinj, dhe është në interesin tonë të kemi një marrëdhënie të mirë e të mos kemi çështje të hapura, aq më tepër sot kur bëhet fjalë dhe pas publikimit të Strategjisë së Zgjerimit, që marrëdhënia me fqinjët dhe zgjidhja e gjithë çështjeve të mbartura është një detyrë e jona deri në anëtarësimn e Shqipërisë me të drejta të plota në BE”.

Deputeti demokrat Tritan Shehu tha se presidentit i ishte shprehur shqetësimi për shkelje të kushtetuetshmërisë së procesit sipas tij, për mungesën e transparencës, për metodikën e procesit dhe përbërjen e grupit negociator. Sipas zotit Shehu, për Partinë Demokratike, “zgjidhja racionale e kësaj çështjeje, arritja e një marrëveshje të drejtë për të gjitha palët dhe për stabilitetin, evitimi i çdo keqkuptimi, çdo mungese transparence, apo elemente të tjerë që lidhen me profesionalizimin, është padyshim çuarja e kësaj dosje, në mirëkuptim me palën greke, në gjykatën ndërkombëtare në Hagë, për të pritur pastaj verdiktin e saj të pranueshëm për ne”.

Takimi i sotëm erdhi pas seancës dëgjimore që Komisioni zhvilloi dy ditë më parë me Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Procesi po shoqërohet me polemika dhe me një farë tensioni edhe mes ministrisë së Jashtme dhe Presidencës. Kreu i Shtetit ka kërkuar dy herë me radhë informacione shtesë nga Ministria e Jashtme lidhur me kërkesën e saj për të marrë prej tij autorizimin për grupin që do të nisë bisedimet si dhe ka bërë të ditur se ai kërkon që procesi të jetë i blinduar nga ana kushtetuese në mënyrë që nëse si në të kaluarën, cështja përfundon sërish në Gjykatën Kushtetuese, atëherë të mos këtë asnjë hapësirë që ajo të mund të rrëzohet, së paku nga ana proceduriale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG