Anëtarët e Partisë Social Demokrate të Gjermanisë kanë votuar në favor të krijimit të një koalicioni bashkëqeverisës me bllokun konservator të kancelares Angela Merkel.
Vendimi tejkalon pengesën e fundit të madhe për formimin e një qeverie të re, duke i dhënë një mandat të katërt kancelares Angela Merkel.
Njoftimi i së dielës nga udhëheqja e partisë i jep fund pasigurive politike gati gjashtë mujore në Gjermani, periudha më e gjatë që vendi ka qenë pa qeveri në historinë e tij pas luftës së dytë botërore.
"Në diskutimet që patëm ne kemi vazhduar t’i afrojmë qëndrimet tona dhe kjo na jep fuqinë e nevojshme për të ecur përpara si një parti në qeveri dhe për të vendosur vendin tonë në rrugën e duhur", tha Olaf Scholz, udhëheqës në detyrë i Partisë Social Demokrate.
Socialdemokratët e qendrës së majtë zhvilluan një debat të ashpër rreth zgjatjes së të ashtuquajturit koalicion të madh për katër vite të tjera pasi pësuan një rënie të ndjeshme në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Në fund, dy të tretat e 464,000 anëtarëve të saj miratuan marrëveshjen për koalicion.
Parlamenti pritet të mblidhet javën e ardhshme për të zgjedhur Angela Merkelin si kancelare, duke konfirmuar pozitën e saj si një nga politikanët më dominues të Evropës.
Facebook Forum