Lidhje

SHBA, grup i ri pune për krizën e opioideve


Në praninë e prokurorëve të disa shteteve amerikane dhe administratorit në detyrë të Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Drogat, DEA, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions njoftoi krijimiin e një grupi të ri pune për të goditur prodhuesit dhe shpërndarësit e opioideve. Ai gjithashtu njoftoi punësimin e një prokurori federal për të udhëhequr përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për trajtimin e krizës së opioideve.

Kriza e opioideve në Shtetet e Bashkuara mori jetën e rreth 64,000 amerikanëve në vitin 2016, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, sipas Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, i cili ka njoftuar krijimin e një grupi të ri pune që do të vë në shënjestër prodhuesit dhe shpërndarësit e opioideve.

"Do të përdorim dënime penale dhe civile. Ne do të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion ndaj atyre që janë përgjegjës për shkeljen e ligjeve tona", tha Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

Ndërkohë edhe guvernatorët po punojnë për trajtimin e këtij problemi në nivel shtetëror.

"Kabineti im mblidhet çdo dy javë për të diskutuar masat tona parandaluese. Ne kemi miratuar disa ligje që kufizojnë recetat mjekësore për opioide në jo më shumë se shtatë ditë, personeli mjekësor duhet të raportojë në baza ditore mbi llojet e ilaçeve që u japin njerëzve të ndryshëm, organizojmë trajnime të veçanta për këtë çështje", thotë Bill Walker, Guvernator i Alaskës.

Dhe në disa raste ata mund të ndiqen penalisht.

"Në të kaluarën dentisti mund të jepte një recetë me dyzetë OxyContins, një lloj opioidi. Kjo nuk po ndodh më në shtetin tonë. Nëse njerëzit i shkelin këto masa kufizuese pa një arsye të ligjshme, ata do të humbasin liçencën e tyre dhe do të ndiqen penalisht", thotë John Kasich, guvernator i Ohajos.

Prokurori Sessions tha se Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza kundër më shumë se 120 të pandehurve për krime që lidhen me dhënien e recetave për opioide ose shpërndarjen e tyre. Departamenit i Drejtësisë gjithashtu ka mbyllur platformën AlphaBay, tregu më i madh kriminal në internet, dhe ka krijuar një program analitik për të gjetur dëshmi të mashtrimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG