Lidhje

Rusia: Rebelët mund të përdorin korridoret e evakuimit në Guta


Ministria ruse e mbrojtjes tha të martën se rebelët sirianë, krahas civilëve, janë të lirë të përdorin korridoret e evakuimit për t’u larguar nga zona e rrethuar Gutas lindore.

Në një deklaratë të ministrisë thuhej se luftëtarët mund të merrnin armët dhe familjet e tyre, por nuk specifikohej se ku duhet të shkonin.

Dhuna ka prerë shanset për një armëpushim në Siri të kërkuar nga Kombet e Bashkuara si dhe për "pushimin e përditshëm humanitar" të shpallur nga Rusia për t’u mundësuar civilëve largimin nga Guta lindore.

Të hënën në mbrëmje një autokolonë ndërkombëtare ngarkuar me ndihma humanitare e ndërpreu misionin e saj në rajonin e Gutas lindore, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme nga toka e ajri të forcave qeveritare kundër enklavës rebele. Autokolona me më shumë se 46 kamionëve u largua pa patur mundësi të shkarkojë plotësisht ngarkesën e saj. Kombet e Bashkuara njoftuan se një tjetër përpjekje është planifikuar për të enjten.

Kjo ishte dërgesa e parë e ndihmës që mbrrinte në zonën jashtë Damaskut që nga mesi i shkurtit, kur një sulm vdekjeprurës i mbështetur nga Rusia filloi ndaj rebelëve të cilët presidenti sirian Bashar al-Assad i quan "terroristë".

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani njoftoi se si pasojë e sulmeve të paktën 68 persona u vranë dje duke e çuar në 760 numrin e viktimave në tre javët e fundit.

Kombet e Bashkuara thonë se 400 mijë njerëz ndodhen të bllokuar në Gutan lindore, rajonin e rrethuar ku ushqimet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG