Lidhje

Një ekspozitë e re ka në qendër manipulimin e imazheve të Holokaustit


Një ekspozitë fotografike e rallë është hapur në Jeruzalem, me imazhe të Holokaustit gjatë të cilit humbën jetën 6 milionë hebrenj, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Fotografitë janë bërë nga grupe të ndryshme njerëzish me motive të ndryshme, disa fisnike dhe disa keqdashëse. Ekspozita në Yad Vashem u hap në janar dhe do të qëndrojë e hapur gjithë vitin. Organizatorët thonë se synimi i tyre është të sqarojnë se si janë manipuluar imazhet e Holokaustit për qëllime keqdashëse, një praktikë që vazhdon edhe sot. Disa nga imazhet e kësaj kronike mund të konsiderohen të rënda.

Yad Vashem po përdror një teknikë të re për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë vlerën e dokumentimit vizual të Holokaustit.

Në ekspozitën e re “Imazhe kujtimesh”, Qendra Botërore e Kujtesës së Holokaustit i bën vizitorët të vrasin mendjen se kush i ka krijuar këto imazhe dhe pse.

Të 1 mijë e 500 fotografitë janë ndarë në tre grupe kryesore: ato të marra nga nazistët apo gjermanë të tjerë ato të marra nga viktimat hebraike dhe ato të marra nga forcat aleate që çliruan kampet naziste të përqendrimit.

Ekspozita e vë theksin tek këndvështrimi i fotografëve hebrenj që donin të ngulitej në kujtesë vuajtja e njerëzve të tyre.

Aty janë ekspozuar edhe fotografitë e marra nga ushtarët amerikanë dhe aleatët e tjerë që donin t’i tregonin botës tmerret e Holokaustit si provë për gjykatat e krimeve të luftës.

Por ekspozita shpjegon gjithashtu se si fotografët nazistë i portretizonin hebrenjtë si racë inferiore, në mënyrë që të përhapnin anti-semitizmin.

“Kjo ekspozitë do t’i bëjë vizitorët t’i shohin fotografitë nën një këndvështrim të ri. Dhe të imagjinojnë syrin e fotografit. Por ndonjëherë duket dora e manipuluesit të fotografive që bën ç’të shohë të nevojshme me fotografinë sipas ideologjisë së tij”, thotë Avner Shalev, i qendrës Yad Vashem.

Manipulimi i imazheve të Holokaustit nuk është vetëm një dukuri e Luftës së Dytë Botërore.

Irani është një vend, udhëheqësit e të cilit janë kritikuar se kanë mohuar Holokaustin ose minimizuar kuptimin e tij.

Në vitin 2016, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei publikoi një video në faqen e tij të internetit, në të cilën thotë se nuk është e qartë nëse thelbi i Holokaustit është real …

…ndërsa tregon fotografi të mohuesve të Holokaustit për të cilët ai thotë se janë përndjekur pa të drejtë nga Perëndimi.

Nën udhëheqjen e Khameneit, zyrtarët e lidhur me grupe qeveritare, kanë hapur disa ekspozita me karikatura për Holokaustin, ku e satirizojnë gjenocidin.

Ekspozita e fundit e organizuar në Teheran në Maj 2016, kishte përfaqësim ndërkombëtar autorësh dhe u mbyll me një ceremoni çmimesh ku fituesit morën statuja bronxi.

Kryetari i Yad Vashemit, Avner Shalev thotë se ato lloj imazhesh nuk ka gjasa të bëjnë për vete popullin iranian.

“Në fund të fundit, e vërteta do të triumfojë dhe publiku do ta kuptojë manipulimin që bën dikush me fotografitë. Dhe mendoj se ata duhet ta shohin një material të tillë me një sy shumë kritik dhe të reflektojnë”, thotë ai.

Yad Vashem shpreson që këto imazhe të edukojnë botën për përdorimin nga Gjermania naziste të forcës së fotografisë për të masakruar miliona hebrenj.

Ekspozita u kujton gjithashtu njerëzve se si imazhet e lidhura me Holokaustin u manipuluan për qëllime propagandistike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG