Lidhje

Xhaçka hedh poshtë dyshimet për Meçollarin


Në Shqipëri ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka hodhi sot poshtë dyshimet se ushtaraku Artur Mecollari, i propozuar si anëtar i grupit që do të negociojë marrëveshjen e detit me Greqinë, i ka dhënë, në të kaluarën, informacione vendeve jo anëtare të Natos. “Nuk ka absolutisht, asnjë indicie, asnjë fakt asnjë thashethem, asnjë material të vërtetuar që Kapiten Meçollari ka shkëmbyer informacion më nje vend jo miqësor ndaj Natos. Asnjë. Zero!” u shpreh ministrja Xhaçka e thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Sigurisë me kërkesë të opozitës.

Sipas kësaj të fundit, ndaj kapitenit Meçollari janë realizuar dhe përgjime pikërisht për shkak të dyshimeve se ka kaluar informacione ushtarake, dhe se për këtë arsye ai ishte larguar nga ushtria në vitin 2012. Por sipas zonjës Xhaçka, largimi i tij ka qenë një vendim politik pasi kishte kundërshtuar , siç u shpreh ajo, që disa baza ushtarake të mund të nxirreshin në shitje. Zoti Meçollari u rithye në ushtri në vitin 2014 me anë të një vendimi gjykate, dhe ka shërbyer edhe në misionet në Afganistan. Opozita megjithatë paralajmëroi se për këtë çështje ajo do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Kapiteni Meçollari është propozuar të jetë pjesë e grupit ngociator për marrëveshjen e re të detit me Greqinë. Nga ana e tij presidenti Ilir Meta i cili ende nuk ka dhënë autorizimin për nisjen e bisedimeve, ka deklaruar se ka kërkuar informacione të detajuara për të gjithë anëtarët e grupit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG