Aktivistët në Nigerinë veriore janë duke zhvilluar fushatë për të patur ligje më të forta për personat e gjetur fajtorë për abuzim seksual me fëmijët; ndërkohë, një numër më i madh familjesh të viktimave në moshë të vogël janë duke folur hapur, duke thyer kështu kulturën e heshtjes lidhur me këtë çështje dhe duke kërkuar që të vendoset drejtësia. Të ndjekim një kronikë të Chika Oduah të Zërit të Amerikës nga Kaduna:
Mercy Philip është duke bërë diçka që shumë vetë nuk guxojnë ta bëjnë në Nigerinë veriore. Ajo po përpiqet përmes sistemit gjyqësor për dënimin me burg të një fqinji, për të cilin ajo thotë se ka përdhunuar vajzën e saj 8 vjeçe.
"Sa herë që e kujtoj atë që ndodhi, qaj natën,"- thotë ajo.
Barrister Bukola Ajao është në mesin e aktivistëve në shtetin e Kadunës, që zhvillojnë lobizëm për miratimin e Aktit Federal për të Drejtat e Fëmijëve të vitit 2003. Nga të 36 shtetet e Nigerisë, vetëm 11 prej tyre, që të gjitha në veriun e vendit, nuk e kanë ratifkuar këtë ligj. Në vend të tij, këto shtete zbatojnë ligjin Sharia dhe një kod penal të periudhës koloniale, për ndjekjen penale të personave që kryejnë abuzime seksuale me fëmijët.
“Ligji aktual i të Drejtave të Fëmijëve, të cilin ne jemi duke u përpjekur ta vëmë në zbatim në Kaduna, jep dënimin 14 vjet burg për fajtorët dhe jo thjesht gjoba. Kur ndëshkimi është i rreptë, njerëzit frenohen në veprmimet e tyre."- thotë aktivistja Bukola Ajao.
Por përpjekjet për të vendosur drejtësinë mund të vijnë me një çmim. Disa njerëz në komunitetin ku jetonte familja Philips talleshin me familjen duke i detyruar ata të largoheshin prej andej.Vajza e tyre tregon se shokët e klasës e gjuanin me gurë dhe talleshin me të.
Abuzimi seksual me fëmijët shoqërohet me stigmën dhe juristi Barrister Ajao thotë se shumica e familjeve dorzohen para presionit të shoqërisë dhe përfundojnë duke e zgjidhur çështjen me dëmshpërblime me para.
Sipas një studimi të vitit 2014 me mbështetjen e UNICEF-it, në Nigeri 1 në 4 vajza dhe 1 në 10 djem bëhen pre e dhunës seksuale para moshës 18 vjeçare.
Kjo jetimore është bërë një vend i sigurtë për fëmijët e abuzuar. Këtu jeton një nënë e re, e quajtur Ladi. Ajo e lejoi Zërin e Amerikës ta tregojë fytyrën e saj. Ladi thotë se nuk mund të shkojë në gjykatë, se vajzën e saj të vogël e përdhunoi i ati i saj:
“E gjeta vajzën të mbuluar me gjak. Nuk thashë asgjë. Ai ishte një njeri që e kisha respektuar gjithmonë, prandaj nuk i thashë gjë. E mora vajzën dhe të dyja erdhëm këtu, në qytet."
Një djalë 7 vjeçar thotë se po shkonte në shkollë kur një shitës frutash e joshi që të shkonte me të pjesën e prapme të dyqanit.
Abuzimi vazhdoi derisa djali iu ankua xhaxhait të tij për dhimbje në trup.
"Shkruajta një raport për policinë, - tregon xhaxhai. - Shumë nga miqtë e mi më sugjeruan që të shkonim e ta rrihnim atë, por unë vendosa të mos e bënim këtë, për shkak të pasojave që do të kishim…Nuk mund ta ve unë të drejtën në vend. Disa më thanë të mos merresha me këtë çështje, sepse burri ishte shumë i moshuar. Por ajo që ai bëri ishte shumë serioze. Gjykimi që mori nuk ishte i mjaftueshëm, por falenderoj zotin që të paktën ai e mori një dënim."
Kur e pyesim në se e tallin në shkollë, djali fillon të qajë…
Frutashitësi u gjet fajtor për sodomi dhe ai është duke kryer tani dënimin prej tre vjetësh në burg.
Facebook Forum