Lidhje

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin mbyll hetimin për Rusinë


Republikanët në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, e mbyllën papritur hetimin për Rusinë. Ata thanë se nuk kishte pasur bashkëpunim të fshehtë mes Moskës dhe punonjësve të fushatës Trump. Por demokratët reaguan të indinjuar.

Në një lëvizje befasuese Presidenti, republikanët në komisionin e zbulimit deklaruan se nuk gjetën prova për bashkëpunim të fshehtë.

“Kemi parë disa takime që ndoshta ishin të papërshtatshme ose të pakujdesshme. Ne kemi parë takime rastësore në disa vende, por jo prova për bashkëpunim të fshehtë”, tha Mike Conaway, anëtar republikan i komisionit të zbulimit.

Pas hetimit që zgjati një vit, komisioni do të bëjë publik një raport prej 150 faqesh me gjetjet e tij, bazuar në 73 intervista dhe 300 mijë dokumenta.

Presidenti e përshëndeti njoftimin me një koment në Twitter.

“KOMISIONI HETIMOR I DHOMËS SË PËRFAQËSUESVE, PAS NJË HETIMI TË THELLË 14-MUJOR, NUK KA ZBULUAR PROVA PËR BASHKËPUNIM TË FSHEHTË MES FUSHATËS TRUMP DHE RUSISË PËR TË NDIKUAR TEK ZGJEDHJET E 2016,” shkruante presidenti në Twitter duke përsëritur qëndrimin që ka mbajtur se ai nuk ka kryer asnjë akt të gabuar.

Por për demokratët kjo çështje nuk është mbyllur. Ata thanë se republikanët nuk kishin përmbushur detyrën për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara pasi nuk kishin kryer një proces serioz hetimor. Për demokratët, njoftimi i papritur vetëm sa i ka thelluar tensionet mes dy palëve në komision.

“Problemi themelor që në fillim ishte se kolegët e mi menduan se puna e tyre ishte të mbronin klientin e tyre, presidentin dhe jo gjetjen e së vërtetës dhe mendoj se kjo është një humbje për vendin”, tha ligjvënësi Adam Schiff, anëtar demokrat i komisionit të zbulimit.

“E kemi humbur gjithë besueshmërinë dhe për fat të keq ka mundësi të nxjerrim dy raporte të ndryshme”, tha anëtari republikan i Komisionit Tom Rooney, duke shprehur një qëndrim të ndryshëm nga kolegët e tij republikanë.

Raporti ka arritur në përfundimin se rusët ndërhynë në zgjedhje, por e hedh poshtë vlerësimin e CIA-s se ata favorizonin kandidatin e atëhershëm, Donald Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG