Lidhje

Deti, negociatat me Greqinë, Meta jep autorizimin


Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka autorizuar sot Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati që t’i japë plotfuqinë grupit negociator për të nisur bisedimet me Greqinë për arritjen e një marrëveshjeje për kufirin detar mes dy vendeve. Vendimi i kreut të Shtetit erdhi pas më shumë se një muaji që kur ministria e Jashtme i paraqiti atij kërkesën zyrtare, dhe u shoqërua edhe me një klime tensioni mes dy institucioneve.

Fillimisht Presidenti Meta e konsideroi të paplotë kërkesën e paraqitur nga ministria e Jashtme. Madje ai vetë bëri publike letrën dërguar kësaj ministrie përmes së cilës kërkonte sqarime të mëtejshme, ndërsa u shfaq dhe në një konferencë shtypi për të shpjeguar qëndrimin e tij. Sipas presidentit ishin të paktën tre momente të cilat në kërkesën e ministrisë së Jashtme nuk përmbushnin detyrimet kushtetuese dhe ligjore: fakti që objekti i kërkesës nuk është qartësisht i përcaktuar dhe nuk shoqërohet me hartat dhe një projektmarrëveshje, mungesa e emrave të negociatorëve dhe jo vetëm institucionet nga të cilat do të përzgjidhen, si dhe nevoja për një përcaktim më të qartë të metodologjive mbi të cilat do të zhvillohen negociatat. “Presidenti nuk mundet kurrësesi të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht edhe me disa probleme të cilat kanë nevojë të saktësohen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cënimi të Kushtetutës, asnjë shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e asnjë bashkëfajësie, edhe pa dashje me cilindo, i cili nuk dëshiron, ose e lexon ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”, deklaroi në atë kohë Presidenti, ndërkohë që ministria e Jashtme reagoi duke duke saktësuar se bëhet fjalë për “një proces kompleks, i cili kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston”, përfundon deklarata e ministrisë. Kjo e fundit ju përgjigj me shpejtësi pikëpyetjeve të ngritura nga zoti Meta, i cili një javë më pas, kërkoi sërish sqarime të tjera.

Ndërkohë një debat i ri u hap dhe lidhur me emrin e një prej anëtarëve të grupit negociator, ushtarakut Artur Meçollari, i cili sipas opozitës ishte larguar nga radhët e forcave detare në vitin 2012, ndërsa kishte qenë zëvendës komandant i Flotës, pasi “kishte kaluar informacione agjenturave të huaja”. Autoritetet hodhën poshtë një pretendim të tillë, duke shpjeguar se dhe përgjimet që ishin bërë ndaj tij nuk kishin nxjerrë në pah asgjë kompromentuese. Emrat e 12 anëtarëve të grupit negociator ju nështruan verifikimeve nga ana e institucioneve, edhe pas kërkesës së bërë nga presidenti Meta, për secilin prej tyre, siç e phoi dhe ai vetë.

Bisedimet me Greqinë do të jenë për një marrëveshje tërësisht të re, pasi në 2010, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë atë që ishte firmosur 1 vit më parë nga ish qeveria e kryeministrit Sali Berisha. Në dhënien e autorizimit për ministrin e Jashtëm, zoti Meta kërkon që “institucionet shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”.

Arritja e një marrëveshjeje të re për kufirin detar është pjesë e një pakete çështjes të mbetura pezull që kanë shoqëruar me tensione marrëdhëniet mes dy vendeve, por që tani, Tirana dhe Athina janë angazhuar t’i vënë në rrugën e zgjidhjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG