Lidhje

Presidenti Trump dënon sulmin në Francë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dënoi sulmin e së premtes në Francë, gjatë të cilit humbën jetën katër persona, ndër ta edhe një punonjës i policisë, i cili u vetëofrua të shkëmbehej me një nga pengjet që sulmuesi i armatosur i mbante në një supermarket në qytetin Trebes.

Presidenti Trump shkruajti sot në Twitter se “mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat e sulmit të tmerrshëm dje në Francë, dhe mbajmë zi për humbjen e këtij vendi”. Ai shtoi se “gjithashtu dënojmë veprimet e dhunshme të sulmuesit dhe të atyre që mund ta kenë mbështetur. Jemi me ju @EmmanuelMacron!”.

Ministri i Brendshëm francez tha të shtunën se oficeri i policisë, i cili ofroi të shkëmbehej për të shpëtuar pengjet e mbajtura nga një person i armatosur në një supermarket në qytetin jugperëndimor të Trebes, ka vdekur.

"Nënkoloneli Arnaud Beltrame ka vdekur dhe ai vdiq për vendin e tij. Franca kurrë nuk do ta harrojë heroizmin e tij," shkroi të shtunën ministri i brendshëm Gerard Collomb në llogarinë e tij në Twitter.

Autoritetet thonë se dy persona janë arrestuar në lidhje me incidentin, përfshi një grua që është njoftuar të ketë qenë e afërt me sulmuesin.

Autori i sulmit qëlloi tre vetë për vdekje gjatë një shpërthimi dhune.

Së pari, ai rrëmbeu një makinë pranë Carcassonnes, në Francën jugore, të premten në mëngjes, duke vrarë pasagjerin dhe duke plagosur shoferin. Ai pastaj u fut në makinë dhe qëlloi mbi një grup oficerësh të policisë, duke plagosur një prej tyre.

Më pas, në Trebes, pranë Carcassonnes, ai hyri në supermarket ku hapi zjarr, duke vrarë dy vetë. Ai mbajti disa pengje në supermarket, ku oficeri Beltrame ofroi vullnetarisht të shkëmbehej për të liruar pengjet.

Autori i sulmit ra dakort dhe Beltrame mbajti të hapur telefonin, kështu që kolegët e tij mund të dëgjonin se çfarë po ndodhte. Kur oficerët dëgjuan të shtëna, ata hynë në supermarket duke vrarë sulmuesin. Beltrame ishte plagosur.

Pasi presidenti francez Emmanual Macron tha se provat tregojnë se veprimet e armatosura konsideroheshin terrorizëm, krahu propagandistik i grupit militant të Shtetit Islamik mori përgjegjësinë.

Ministri i Brendshëm Collomb tha të premten, megjithatë, se policia nuk e kishte konsideruar të dyshuarin 26-vjeçar Redouane Lakdim, i lindur në Marok dhe që ka jetuar në Carcassonne, një kërcënim terrorist.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG