Lidhje

Marshimi për ndryshimin e ligjit për kontrollin e armëve


Qindra mijëra njerëz marshuan në qytete kudo në Shtetet e Bashkuara për të bërë thirrje në ndryshime për ligjet e armëve. Shumica e tyre morën pjesë në tubimin në Uashington, një nga qindra aktivitetet e organizuara nga të rinjtë pas sulmit me armë në një shkollë të mesme të Floridës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jill përgatiti kronikën.

Është një lëvizje “nga fëmijët për fëmijët”, që filloi pasi një 19 vjeçar i armatosur mori jetën e 17 njerëzve në Shkollën e Mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, ditën e Shën Valentinit.

Kudo në Shtetet e Bashkuara, nxënës, prindër, mësues dhe aktivistë dolën në rrugë për të kërkuar që ligjvënësit të vendosin masa më të rrepta të kontrollit të armëve.

“Shkolla në Florida, ku kjo ndodhi, është shumë e ngjashme nga ana demografike dhe ekonomike, me qytetin ku banoj unë. Dhe kur shoh se diçka e tillë mund të ndodhë në një qytet si imi, është shumë e frikshme për mua si nxënëse” thotë Christine Gonzalez.

Disa në turmë i nxitën protestuesit të mendonin për dhunën e armëve nga pikëpamje të ndryshme.

“Ne thjeshtë po themi se, edhe jetët e fëmijëve afrikano-amerikanë janë të rëndësishme dhe se ata vriten në shkolla, vendi duhet të jetë po aq i tronditur sa tani” thotë një mësuese nga Filadelfia.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të vendit, në Oakland të Kalifornisë, protestuesit e rinj u bashkuan me të rriturit. Disa kishin përvoja personale me dhunën me armë.

“Në fillim të karrierës time, në klinikën ku punoja, e cila ishte një klinikë për planifikimin familiar në Brookline të Masaçusetsit, ndodhi një sulm me armë. Katër vetë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Kolegu im Shannon Lowney vdiq. Kjo ka ndodhur 23 vjet më parë dhe koha kalon. Nuk kemi patur përparim për këtë çështje, dhe ndoshta ka ndodhur e kundërta” thotë Kate McGlashan, një infermiere nga Kalifornia.

Megjithatë, jo të gjithë pajtohen me objektivin e marshimit.

“E drejta për të patur armë zjarri është një e drejtë e mbrojtur në Kushtetutën tonë. Dhe besoj se ky tubim nuk do të zgjidhë asgjë. Duke ndaluar armët gjysmë-automatike, për të cilën ata po bëjnë thirrje, nuk do të reduktojnë dhunën e armëve, por do të heqin të drejtat e qytetarëve që i binden ligjit” thotë Joe, kundër protestues nga shteti i Nju Jorkut.

Por ata që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, shpresojnë se vrulli do të vazhdojë.

“Shumë nga organizatorët e kësaj ngjarjeje, dhe të tjerave në të gjithë vendin janë nxënës të shkollave të mesme dhe të rinj si unë. Të rinjtë në këtë moshë do të fillojnë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe në çdo zgjedhje pas tyre, dhe pastaj ata do të fillojnë të kandidojnë për poste në Kongres. Dhe atëherë, kjo lëvizje do të marrë formë të qartë” thotë Hayley, studente e vitit të parë, në Amherst College.

Shumë artistë kënduan, dhe morën vetë pjesë në tubim. Nxënësit e shkollës së mesme Marjory Stoneman Douglas mbajtën fjalime, duke përfshirë një fjalim nga maturantja Emma Gonzalez që përfshiu 6 minuta dhe 20 sekonda heshtje, kohëzgjatjen e sulmit që ndodhi në shkollën e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG