Lidhje

Puigdemont arrestohet në Gjermani - protesta në Barcelonë


Finland

Protestuesit u përleshën me policinë të dielën në Barcelonë gjatë demonstratave kundër arrestimit të ish presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont.

Policia përdori shkopinjtë e gomës për të penguar protestuesit që ishin nisur drejt zyrave të qeverisë spanjolle. Protestuesit hodhën koshat e mbeturinave dhe objekte tjera mbi policinë. Të paktën 50 veta janë lënduar.

Mijëra veta mbushën rrugët e kryeqytetit të Katalonjës në mbështetje të presidentit të rrëzuar i cili u arrestua të dielën në Gjermani në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtarë. Ai u arrestua në kohën kur po kalonte kufirin nga Danimarka.

Carles Puigdemont pritet të paraqitet të hënën në një gjykatë në Schlesëig, derisa prokurorët gjermanë po shqyrtojnë kërkesën e Spanjës për ekstradimin e tij.

Ai po kërkohet nga Spanja nën akuzat për tradhti dhe nxitje të dhunës. Në tetor të vitit të kaluar ai u largua nga Spanja për në Belgjikë.

Ai kishte sfiduar paralajmërimet e qeverisë qendrore spanjolle dhe kishte mbajtur një referendum për shkëputjen e Katalonjës.

Parlamenti i Katalonjës shpalli pavarësinë duke çuar në ndërhyrjen më forcë të Madridit i cili mori nën kontroll qeverinë e Katalonjës.

Ligjvënësit pro pavarësisë fituan me shumicë të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar në Katalonja, por parlamenti nuk arriti të zgjedh një president.

Zoti Puigdemont i bëri thirrje parlamentit të zgjedhë aleatin e tij pro pavarësisë Jordi Sanchez në postin e presidentit të ri rajonal.

Por, Sanchez është në burg në Madrid ndërkohë që prokurorët po mendojnë nëse do ta akuzojnë zyrtarisht edhe atë për kryengritje.

Arrestimi pasoi vendimin e Gjykatës së Lartë Spanjolle të premten për të akuzuar 13 udhëheqës separatistë katalanas për kryengritje dhe krime të tjera për përpjekjen e tyre për të shpallur pavarësinë nga Spanja vitin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG