Ngrohja e motit po shoqërohet edhe me rastet e para të ndalimit të shtetasve të huaj që përdorin territorin e Shqipërisë, si vend transit, në përpjekje për t'u larguar nga vatrat e luftës drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Të martën, policia shqiptare ndaloi në hyrje të qytetit të Shkodrës 23 shtetas sirianë, të cilët po shkonin drejt kufirit të Malit të Zi, me destinacion kalimin në Austri. Shtetasit sirianë janë shoqëruar në mjediset e policisë së Shkodrës, ku po kryhen veprimet e nevojshme ligjore. Policia po heton edhe rrugën se si shtetasit e huaj kanë arrritur të hyjnë në territorin e Shqipërisë.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, bënë arrestimin në flagrancë të 5 shtetasve shqiptarë, me banim në Tiranë, të cilët po bënin trafikimin e shtetasve të huaj. Të arrestuarit janë punonjës të një kompanie private transporti “Taxi” me qendër në Tiranë. Sipas policisë, dyshohet se, në bashkëpunim dhe në mënyrë të organizuar, ata po transportonin 23 shtetasit e huaj sirian drejt kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi.
Dyshohet se shtetasit sirianë kanë hyrë në territorin e Shqipërisë përmes kufirit me Greqinë, por nuk është e qartë si kanë arritur deri në Shkodër pa u diktuar dhe ndaluar nga shërbimet policore.
Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
Ky është rasti i dytë, brenda muajit mars, që policia shqiptare ndalon në afërsi të qytetit të Shkodrës shtetas të huaj sirianë, në përpjekje për t'u larguar drejt kufitit të Malit të Zi.
Facebook Forum