Lidhje

Vdes Linda Brown, simboli i rrëzimit të ndarjes racore në SHBA


Vdiq në moshën 76 vjeçare në Kansas Linda Brown, simboli i rrëzimit të ndarjes racore në SHBA. Emri i saj u bë i njohur gjatë padisë historike gjyqësore “Brown kundër Bordit të Arsimit” të ngritur në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila i dha fund ndarjes racore në shkollat amerikane.

Zonja Brown vdiq të dielën në moshën 76-vjeçare.

Ajo ishte vetëm 9 vjeçe kur babai i saj paditi në gjykatë bordin e arsimit në Topeka që nuk pranonte të bijën të bëhej nxënëse e një shkolle të përbërë vetëm nga nxënës të bardhë.

“Mendoj se u desh vërtet kurajo që im atë dhe 12 prindër të tjerë në këtë qytet të shkonin tek shkollat dhe të kërkonin regjistrimin e fëmijëve të tyre. Së bashku me prindërit, u shndërruam në simbolin e padisë kundër bordit të arsimit në vitin 1954. E zhvendosi familjen time nga terri, drejt edhe në faqet e historisë”, përshkruante Linda Brown.

Gjykata e Lartë vendosi unanimisht se “objektet e ndara arsimore janë në thelb të pabarabarta”. Gjykata e deklaroi ndarjen racore në shkelje të amendamentit të 14-të të kushtetutës amerikane ku thuhet se asnjë shtetasi nuk mund t’i mohohet mbrojtja e barabartë përpara ligjit.

Zonja Brown pati thënë se rasti i saj shërbeu për të hapur dyert edhe në industrinë e argëtimit, në sektorin e strehimit, punësimit dhe arsimit.

Avokati afrikano-amerikan Thurgood Marshall, i cili paraqiti çështjen Brown para gjykatës, u bë vetë më vonë anëtar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG