Shtetet e Bashkuara urdhëruan të hënën 60 diplomatë rusë, të akuzuar si spiunë, që të largohen nga vendi brenda javës. Një numër aleatësh të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Francën, Gjermaninë, Poloninë, Shqipërinë, Maqedoninë, janë duke ndërmarrë veprime të ngjashme, në një përgjigje të bashkuar ndaj sulmit me armë kimike të 4 marsit, ndaj një agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij, në Salisbury të Britanisë.
Sulmi ndaj Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, me një agjent kimik që përdoret zakonisht në ushtri, ka shkaktuar një përgjigje të fuqishme në shkallë botërore.
Shtetet e Bashkuara dëbuan 60 diplomatë rusë dhe urdhëruan mbylljen e konsullatës ruse në Siatëll. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump përsëri dëshiron të punojë me Rusinë, duke shtuar se veprimet e Moskës nganjëherë nuk e lejojnë këtë.
“Helmimi në Britani ishte një veprim i pacipë dhe i pamatur. Ai rrezikoi jo vetëm jetën e dy individëve, të cilët u helmuan, por të shumë civilëve të pafajshëm.”- tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit.
Jon Huntsman, ambasadori amerikan në Rusi tha se ky ishte një shpagim nga ana e Washingtonit:
“Shtetet e Bashkuara e ndërmarrin këtë veprim së bashku me aleatët e NATO-s dhe me parnerët tanë në mbarë botën, si përgjigje ndaj sulmit me armë kimike të nivelit që përdoret në ushtri, të kryer nga Rusia në tokën britanike.”
Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, tha se Moska u befasua nga dëbimet, duke thënë se ky veprim binte në kundërshtim me bisedën telefonike “konstruktive” të javës së kaluar mes Presidentit Trump dhe atij rus Vladimir Putin.
Disa analistë thonë se reagimi i fortë amerikan ishte i papritur dhe mund të shënojë një pikë kthese për administratën Trump.
“Kjo tregon se ne nuk do ta durojmë më këtë lloj sjelljeje të rusëve; kjo fshehje prapa vellos të pasigurisë dhe përgënjeshtrim i besueshëm nuk funskionon. Shenjat që ka lënë Rusia tek ky sulm janë shumë të qarta, prndaj duhej një përgjigje e vendosur. Unë personalisht mendoj se edhe një reagim më i ashpër është plotësisht i justifikueshëm, përfshirë sanksione ndaj oligarkëve të mëdhenj rusë.”- thotë ish ambasadori amerikan në Rusi, Alexander Vershbow.
Analistë të tjerë thonë se dëbimi i diplomatëve rusë, ishte shprehje domethënëse e solidaritetit të Shteteve të Bashkiara me Britaninë, duke i dërguar një sinjal zotit Putin.
“E pakta që kjo masë tregon, është solidariteti amerikano-britanik, kjo duhet të ndihmojë për ta ruajtur këtë marrëdhënie të mirë dhe ndoshta ka për ta penguar Rusinë të marrë veprime të ngjashme në të ardhmen, duke e ditur se sa e fortë është kjo aleancë.” – thotë analisti Richard Weitz.
Ekspertët thonë se Vladimir Putini mund të përgjigjet po njëlloj, duke dëbuar të paktën 60 diplomatë amerikanë nga Rusia. Shtatorin e kaluar Moska dëboi 755 diplomatë amerikanë.
Agjencia shtetërore ruse RIA thotë se Putin do të kundërpërgjigjet, duke urdhëruar të paktën 60 diplomatë në misionet amerikane në Rusi të largohen nga vendi.
Facebook Forum