Lidhje

SHBA: Lirohen nga akuzat dy policë për vrasjen e një afrikano-amerikani


Të martën autoritetet në shtetin jugor të Luizianës liruan dy policë të bardhë nga akuzat për veprime të paligjshme në lidhje me vdekjen e një afrikano-amerikani. Vendimi vjen pasi u përcaktua se ai kishte qënë i armatosur, sikurse kishin besuar policët, gjatë përpjekjes për arrestimin e tij.

Prokurori i Përgjithshëm i Luizianës Jeff Landry tha se faktet rreth vrasjes së Alton Sterling-ut në vitin 2016 treguan "përtej çdo dyshimi të arsyeshëm" se veprimet e oficerëve të policisë Blane Salamoni dhe Howie Lake, ishin të justifikuara në mënyrën se si ata e patën trajtuar incidentin. Ngjarja ndodhi jashtë një dyqani në qytetin e Baton Rouge ku Alton Sterling-u po shiste disqe muzikore të përgatitura në shtëpi.

Jeff Landry tha se oficerët e policisë besonin se 37-vjeçar ishte i armatosur, ndërsa ata u përpoqën por pa sukses, për ta arrestuar atë. Prokurori i Përgjithshëm tha se policët "disa herë u përpoqën t’i kapnin atij duart". Një video e incidentit tregon oficerin Blane Salamoni duke u larguar në një distancë të shkurtër dhe duke qëlluar tre të shtëna në drejtim të Sterling-ut. Ai pastaj qëllon dhe tre herë të tjera kur Sterling nis të ulet dhe të lëvizë. Oficeri tjetër nuk gjuajti me armë.

Autoritetet federale thanë se disa momente përpara se të qëllonte, oficeri Salamoni kishte bërtitur duke thënë se Sterling-u po nxirrte një armë nga xhepi i tij. Sipas prokurorit të Përgjithshëm të Luizianës Jeff Landry "më pas u verifikua se ai ishte i armatosur".

Incidenti i korrikut 2016 ndodhi në një kohë tensionesh në Shtetet e Bashkuara për shkak të përplasjeve vdekjeprurëse në disa qytete mes policisë lokale, shumica e të cilëve të bardhë me popullsinë afrikano-amerikane. Në disa raste, policët janë akuzuar dhe dënuar për vrasje, por në raste të tjera ata janë çliruar nga çdo përgjegjësi ligjore.

Në Baton Rouge, më shumë se 200 vetë u arrestuan gjatë tubime të protestës për vrasjen e Alton Sterling-ut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG