Lidhje

Synimet për takimin e nivelit të lartë Uashington-Phenian


Për momentin takimi i nivelit të lartë që është propozuar të zhvillohet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut ka mbetur në nivelin e propozimit. Korrespondentja Greta Van Susteren e Zërit të Amerikës ka intervistuar disa analistë, të cilët thonë se hollësitë dhe dita e bisedimeve nuk janë diskutuar ende. Po ashtu nuk ka ende mirëkuptim mes palëve mbi objektivat e këtij takimi:

Gjatë javëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet ndërkombëtare për ta bindur Korenë e Veriut të ulet në tryezën e bisedimeve për programin bërthamor si dhe kërcënimin që paraqet programi në Gadishullin Korean e përtej.

Pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se Presidenti Trump do të takohej me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un, Koreja e Veriut nuk ka pohuar zyrtarisht planet për këtë takim.

Gjatë ditëve të fundit përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut janë takuar në Finlandë, Suedi dhe San Francisko për të diskutuar për axhendën e bisedimeve.

Gilbert Rozman i Institutit Për Kërkime mbi Politikën e Jashtme thotë se Kim Jong Un ka një qëllim të qartë:

"Ai do që Koreja e Veriut të njihet si një vend pak e shumë i barabartë. Për ta arritur këtë i duhet të mbajë armët bërthamore, ose të ketë marrëdhënie të shkëlqyera në bazë të të cilave i gjithë rajoni e njeh Korenë e Veriut si fuqi rajonale, gjë që do t’i sigurojë përfitime të mëdha. Pra ai do t’i japë formë të ardhmes së Gadishullit Korean dhe të arrijë një balancë të re forcash në Azinë Juglindore për të ruajtur regjimin dhe për të rritur influencën e tij”.

Gazetarja e shërbimit korean të Zërit të Amerikës Connie Kim thotë se sanksionet e OKB-së e kanë detyruar Kim Jong Unin të mendojë për nevojën e bisedimeve. Kjo rezultoi në deklaratën e fundit të zotit Kim ku ai thotë se është “i hapur për dialog” me Seulin.

"Ai po i zgjat një degë ulliri Koresë së Jugut, por në të njëjtën kohë po kërcënon Shtetet e Bashkuara se ka mbi tryezën e punës butonin e armëve bërthamore, ndoshta ngaqë do të krijojë përçarje mes dy aleatëve dhe të sigurojë lehtësimin e sanksioneve”.

John Lenczowski është president i Institutit për Politika Botërore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen që të ndryshojnë meazhin që ka dëgjuar prej dekadash populli i Koresë së Veriut:

"Mendoj se duhet të fillojmë të mendojmë jo vetëm për marrëdhëniet me qeverinë koreano-veriore, por edhe për marrëdhëniet me popullin e Koresë së Veriut. Nevojitet diplomaci publike që nënkupton se duhet të krijojmë lidhje me këta qytetarë, t’ua bëjmë të qartë se për ne kanë rëndësi të drejtat e tyre dhe se nuk jemi monstra, ashtu siç na ka përshkruar regjimi i tyre”.

Gilbert Rozman thotë se edhe nëse bisedimet bëhen realitet, ambicjet duhet të jenë modeste:

"Ata që po ushqejnë shpresa të mëdha se ky takim do të ofrojë një përgjigje të vërtetë po tregohen më optimistë se duhet. Ne duhet të shpresojmë që ky takim hap një proces negociatash ku Koreja e Veriut premton diçka dhe zotohet të vazhdojë në këtë rrugë dhe ku vendet e tjera – Kina, Rusia, Japonia dhe Koreja e Jugut – përfshihen në përpjekjet për t’i dhënë formë procesit dhe ku Koreja e Veriut përpiqet të sigurojë ato që i interesojnë duke manipuluar interesat e çdo vendi individual. Mund të duket sikur po punojmë drejt çmilitarizimit bërthamor, por jemi shumë larg”.

Javën e kaluar këshilltari për sigurinë kombëtare në largim H.R. McMaster, tha se Uashingtoni është i vendosur të ndjekë politikën e tij të presionit maksimal mbi Phenianit për të arritur çmilitarizimin bërthamor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG