Lidhje

Presidenti Trump reagon për Amendamentin e Dytë të Kushtetutës


Në një postim në twiter Presidenti Donald Trump tha sot se "Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane nuk do të shfuqizohet!

Ai tha se megjithë dëshirën e demokratëve që kjo të ndodhë dhe pavarësisht fjalëve të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë John Stevens, kjo nuk ka për të ndodhur. “Kemi nevojë për më shumë republikanë në vitin 2018 dhe duhet ta mbajmë Gjykatën e Lartë", tha zoti Trump.

Një ditë më parë. ish anëtari i Gjykatës së Lartë John Paul Stevens, bëri thirrje për shfuqizimin e “Amendamentit të Dytë”, duke përmendur si shtysë për këtë, protestat në përgjigje të ngjarjes vdekjeprurëse në një shkollë të mesme në Parkland të Floridës.

Në një shkrim në gazetën New York Times të publikuar dje, 97-vjeçari Stevens shkruante se një amendament kushtetues për këtë çështje, do të ndihmonte më shumë në drejtim të dobësimit të aftësive të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) për të penguar debatin legjislativ dhe bllokuar legjislacionin lidhur me kontrollin e armëve.

Zoti Stevens u largua nga gjykata në vitin 2010, pas më shumë se 35 vjetësh në detyrë.

Ndërkohë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se administrata Trump është përqendruar në heqjen e armëve nga individë të rrezikshëm, "pa u hequr të gjithë amerikanëve të drejtën e tyre kushtetuese".

Shfuqizimi i “Amendamentit të Dytë” do të ishte shumë i vështirë. Një amendim i kushtetutës mund të propozohet vetëm nga Kongresi me dy të tretat e votave të të dyja dhomave ose me një Konventë Kushtetuese të kërkuar nga dy të tretat e ligjvënësve të të gjithë shteteve. Në mënyrë që të hyjë në fuqi, amendimi duhet të miratohet nga tre të katërtat e shteteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG