Lidhje

Bushati-Kotzias: Dialogu përparon


Në Shqipëri, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati priti sot homologun e tij grek Nikos Kotzias “në vazhdën e dialogut intensiv të mekanizmit dypalësh për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve”, siç njoftoi shkurtimisht ministria e Jashtme në përfundim të bisedimeve. Takimi i sotëm vjen pasi pala shqiptare ka mbyllur procedurat për nisjen e negociatave për një marrëveshje të re për përcaktimin e kufijve detar mes dy vendeve, por nuk dihet nëse palët kanë rënë dakort për një datë të saktë të fillimit të tyre.

Bushati-Kotzias: Dialogu përparon
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Ndërsa po linte parlamentin për t’u drejtuar në zyrën e tij ku më pas priti homolgun e tij grek Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati komentoi bisedimet e pritshme: “Jemi në një fazë të re. Në disa fusha është bërë progress. Kemi fusha të tjera ku besoj që në ditët në vijim do të kemi mundësinë që së bashku të deklarojmë progress. E kam fjalën për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve. Presidenti i Republikës ka lëshuar autorizimin. Unë kam firmosur plotfuqishmërinë për grupin negociator, i cili është duke punuar dhe besoj se do të biem dakort me homologun grek dhe për datat e takimt dhe për kalendarin se si do të operojë grupi i punës. Dhe do të punojmë dhe për takimin e nivelit të lartë mes dy kryeministrave”.

Por ndërsa zoti Bushati foli për elementë konkretë, deklarata e përbashkët e shpërndarë në përfundim të takimit, ashtu si dhe për bisedimet në Kretë dhe në Korçë, ishte me terma shumë të përgjithshëm. “Ministrat shqyrtuan progresin e shënuar prej takimit të Janarit të mbajtur në Korçë që është materializuar në një sërë zhvillimesh pozitive tashmë të bëra publike nga palët”, thekson deklarata. Që nga ai takim, pala greke, bëri hapin e heqjes së rezervës ndaj Vulës apostile ndaj Shqipërisë.

Dy ministrat e Jashtëm, vijon më tej deklarata e përbashkët “u dakordësuan për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm në funksion të avancimit të procesit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mirëpranuara për çështjet ende në diskutim”. Deklarata nënvizon se “ata i kushtuan një vëmendje të posaçme punës në proces për finalizimin e Dokumentit të Partneritetit Strategjik në përputhje me vullnetin e palëve për të forcuar dimensionin evropian të marrëdhënieve shqiptaro-greke”. Firmosja e këtij dokumenti pritet të jetë rasti që kryeministri grek Alexis Tsipras të vizitojë Tiranën, pas një periudhe mbi 5 vjeçare mungese shkëmbimi vizitash mes drejtuesve të qeverive të të dy vendeve.

Takimi i sotëm pritej me interes të veçantë kryesisht për procesin e bisedimeve për marrëveshjen e kufijve detar. Shqipëria nga ana e saj ka përmbyllur të gjithë fazën proceduriale për zhvillimin e këtyre bisedimeve. Dhe siç njoftoi dhe zoti Bushati, grupi i saj negociator është gati. Edhe më herët ai kishte deklaruar se “do të vepronte pa humbur kohë për nje marrëveshje të drejtë dhe të ndershme mes palëve”. Por deklarata e përbashkët në përfundim të takimit as nuk e përmendte këtë çështje, ndonëse sipas burimeve, ajo ka qenë tema kryesore e bisedimeve të sotme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG