Lidhje

Pashkët Izraelite në një xhami të Nju Jorkut


Sot, në perëndim të diellit, komunitetet hebraike në mbarë botën do të festojnë Pashkët Izraelite. Festa shënon çlirimin e hebrenjve nga skllavëria në Egjiptin e lashtë. Disa ditë përpara fillimit të kësaj feste, një organizatë ndërfetare me seli në Nju Jork, organizoi një aktivitet të veçantë ku hebrenjtë u bashkuan me myslimanët për festimin e Pashkëve Izraelite. Festa u organizua në një vend të pazakontë për ceremoni të tilla – në një xhami. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Aunshuman Apte njofton nga Nju Jorku.

Këngët, bekimet dhe leximet për kremtimin e Pashkëve, zakonisht dëgjohen rreth tavolinave të familjes. Por këto festime po bëhen në një xhami në Manhatan, me hebrenj dhe muslimanë së bashku në tryezë. Një organizatë ndërfetare, Komiteti për Solidaritetin Muslimano-Hebraik i Bruklinit organizoi këtë aktivitet me mbështetjen e Shoqatës Islame të Manhatanit.

Të dy besimet kanë një histori të gjatë të festimeve së bashku.

"Kur profeti Muhamed shkoi në Al Madeena, pyeti përse bashkësia hebraike po agjëronte atë ditë. Atij iu tha se ishte dita e asaj që quhej Dita e Ashures - dita e dhjetë e Al Muharramit, e cila ishte pothuajse e njëjta ditë si Pashka Hebraike sipas kalendarit pas Krishtit. Ai tha se edhe ne duhet ta festojmë atë në mënyrën tonë", shpjegon imami Ahmed Dewidar i Shoqatës Islamike të Manhatanit.

"Kurani është i shenjtë ashtu si edhe Tora. Ne e studiojmë atë, mësojmë dhe nxjerrim traditat tona prej tij. Ne gjithashtu kemi tradita legaliste, ashtu sikurse myslimanët e zbatojnë Kuranin. E njëjta gjë është edhe me judaizmin - ne kemi Torën që është baza e traditave tona. Kemi shumë tradita të përbashkëta duke përfshirë traditën e zisë dhe shumë të tjera", thotë rabinia Lauren Grabelle Herrman me Shoqatën për Avancimin e Judaizmit.

Kjo është hera e tretë e "Pashkëve në Xhami" e sponsorizuar nga Komiteti i Solidaritetit. Pjesëmarrësit lexojnë historinë tradicionale të çlirimit nga Haggadahu dhe shijojnë gatimet e festës. Ata recituan vargje nga Tora, dhe dëgjuan fraza nga Kurani, duke theksuar marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet judaizmit dhe islamit.

"Synimi i këtij aktiviteti nuk është që të konvertohen njerëzit. Nuk synojmë të zëvendësojmë traditën e festës në familje. Synimi është vetëm t’i tregojmë njëri-tjetrit atë që bëjmë, të ndajmë festën me njëri-tjetrin", thotë Michelle Koch, organizator.

“Ishte një përvojë e mirë mësimi që nuk do ta harroj. Jam vërtetë e lumtur që erdha këtu sonte”, thotë Ariella Hoffman Peterson.

“Po largohem me shumë shpresë.. me shpresën se pavarësisht të gjithave dhe klimës përreth nesh, ka shumë forcë dhe ne po punojmë së bashku”, thotë Melanie Robbins me Ligën Kundër Shpifjeve.

"Festimi i Pashkëve Hebraike në një xhami! Këtë nuk mund ta imagjinosh në Turqi. Nuk është e mundur. Mendoj se është e mundur vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht në Nju Jork", thotë Rezan Altinkaynak, emigrant nga Turqia.

Për organizatat ndërfetare si Komiteti për Solidaritetin Myslimano-Hebraik, festimi i Pashkëve Hebraike në një xhami është një mundësi për të nxitur mirëkuptimin mes njerëzve të të dyja besimeve. Komiteti feston gjithashtu festat myslimane në sinagogat e Nju Jorkut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG