Lidhje

Kremlini dëbon të tjerë diplomatë britanikë


Russia Kremlin

Britania duket se është shndërruar në objektivin kryesor të masave diplomatike që po ndërmerr Rusia. Ministria e Jashtme ruse urdhëroi sot largimin e mbi 50 anëtarëve të tjerë të personelit diplomatik britanik. Kjo është vala e dytë e dëbimeve të stafit britanik, pas urdhërimit më herët këtë muaj për largimin e 23 diplomatëve të tjerë të këtij vendi.

Russia urdhëroi sot Britaninë të shkurtojë mbi 50 persona të tjerë nga stafi i saj diplomatik dhe teknik në Rusi.

Lëvizja më e fundit e Rusisë është një masë shtesë pas urdhërimit më herët këtë muaj për largimin e 23 diplomatëve britanikë.

Gjithashtu, Kremlini dha dje urdhëra largimi për 59 diplomatë nga 23 vende perëndimore si reagim ndaj dëbimit kolektiv të diplomatëve rusë nga këto vende.

Duket se shkurtimet më të mëdha i ka pësuar stafi diplomatik i Britanisë. Ambasadorit të Britanisë iu tha se ka një muaj kohë për të zvogëluar stafin në nivelin që janë tashmë diplomatët rusë në Britani.

Masa shtesë ndaj Britanisë vjen pasi Rusia dëboi 60 diplomatë amerikanë dhe mbylli konsullatën amerikane në Shën Pjetërburg. Në ambjentet e Ministrisë së Jashtme ruse u panë të thërriteshin në takime përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Hollandës, Ukrainës, Francës, Italisë, Polonisë, Kroacisë, Belgjikës, Suedisë, Australisë, Kanadasë dhe Republikës Çeke.

Pas takimit, ambasadori gjerman Rudiger Von Fritsch tha se Rusia nuk iu përgjigj pyetjeve rreth helmimit të ish-agjentit Skripal, por shtoi se Berlini mbetet i hapur për dialog me Moskën.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk ka asnjë justifikim për dëbimin nga Rusia të diplomatëve amerikanë. Shtëpia e Bardhë deklaroi se ky veprim i Moskës shënon një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënies ndërmjet dy vendeve. Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh se Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën e kundërpërgjigjes.

Pas një bisede telefonike të zhvilluar këtë javë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Kryeministres britanike Theresa May, Shtëpia e Bardhë u shpreh se “të dy udhëheqësit ranë dakort për rëndësinë e çmontimit të rrjetit agjenturor të Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara, si dhe për goditjen e aktiviteteve klandestine të Rusisë dhe parandalimin e sulmeve me armë kimike në të ardhmen”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG