Lidhje

Pritshmëritë për takimin Trump-Kim


Shtetet e Bashkuara thanë se mirëpresin takimin e ardhshëm mes udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, përpara një takimi të planifikuar midis presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un. Administrata e Presidentit Trump ka shprehur optimizëm se Pheniani do të ndërmarrë hapa drejt çarmatimit bërthamor, por po bën thirrje për vazhdimin e fushatës së presionit maksimal të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara deri në realizimin e këtij objektivi.

Presidenti Donald Trump befasoi shumë ekspertë të enjten kur paralajmëroi se mund të shtyjë nënshkrimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Korenë e Jugut, e cila ishte rinegociuar me sukses vetëm një ditë më parë, deri në arritjen e një marrëveshjeje me Korenë e Veriut mbi programin e saj bërthamor. Por Trump ende dukej optimist për takimin e tij të planifikuar me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un.

"Ne po ecim shumë mirë me Korenë e Veriut, do të shohim se çfarë do të ndodh. Sigurisht që retorika është qetësuar pak, apo jo?"

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se udhëtimi i papritur i Kim Jong Un-it në Kinë i rrit shanset për një takim të suksesshëm Kim-Trump.

"Departamenti i Shtetit është duke bërë plane për këtë takim. Ne po ecim përpara me besim të plotë dhe vullnet të mirë. Ne kemi zhvilluar shumë biseda me Republikën e Koresë lidhur me përmbajtjen e atij takimi, dhe besojmë në përgjithësi se fushata e presionit po funksionon."

Disa ekspertë janë të shqetësuar se Kim Jong Un mund të ketë një kuptim shumë të ndryshëm nga ai i Presidentit Trump dhe negociatorëve amerikanë në lidhje me çarmatimin bërthamor. Douglas Paal nga organizata Carnegie Endowment, thotë se secila palë duhet t'i bëjë të qarta pritshmëritë e saj.

"Pritshmëritë duhet të jenë pjesë e axhendës së takimit të nivelit të lartë dhe pjesë e takimeve paraprake përgatitore. Nuk do të ishte mirë që një president të shkonte në një takim që automatikisht do të ishte katastrofik për shkak të qëllimeve tepër të ndryshme të palëve për takimin."

Megjithë shqetësimet rreth takimit, Sekretari i OKB-së për çështjet politike, thotë se kjo situatë është shumë më e mirë sesa tensionet jashtëzakonisht të larta mbi Korenë e Veriut vetëm disa muaj më parë.

"Kanë kaluar katër muaj që nga prova e fundit me armë. Nuk është njësoj si çarmatimi bërthamor, por kjo do të thotë se në vend të rritjes së tensioneve me një ritëm alarmues, kemi një skenar në të cilin palët e ndryshme po bisedojnë për organizimin e takimeve në nivele të ndryshme për të parë nëse mund të gjendet një zgjidhje që do të ishte në përputhje me rezolutën e OKB-së për çarmatimin bërthamor".

Feltman tha se shpresonte që takimet e ardhshme do të ishin fillimi i një procesi të gjatë drejt mospërhapjes së armëve bërthamore në rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG