Në Uashington është krijuar paqartësi mbi të ardhmen e rolit të Amerikës në Siri, pasi Presidenti Donald Trump vuri në dukje përparimin në luftën kundër Shtetit Islamik dhe parashikoi një tërheqje "shumë të shpejtë" të Shteteve të Bashkuara nga konflikti sirian.
Një kapitull i ri ka filluar në qytetin e Mosulit në Irak, një qytet i çliruar nga militantët e Shtetit Islamik, që vazhdon të vuajë pasojat e konfliktit.
"Të gjithë ne jemi të gatshëm të fillojmë rimëkëmbjen e Irakut ... sidomos të Mosulit", - thotë Juliana Tamorazi, një vizitore e Mosulit.
Në Siri, ndërkohë, Shteti Islamik është bërë një faktor pothuajse i parëndësishëm në luftën civile të vendit, ndërkohë që grupet rebele po pësojnë humbje në rajonin e Gutës lindore.
"Shpresoj që djemtë e mi që ndodhen në Guta të arrijnë të largohen nga qyteti, në mënyrë që ne të jetojmë së bashku. Shpresoj që edhe të burgosurit do të arrijnë të largohen nga qyteti", thotë Amira Gharmoush.
Nga fushat e betejës në Irak deri tek ato në Siri dhe më gjerë, Shteti Islamik ka pësuar një humbje të madhe të territoreve dhe luftëtarëve, një gjë që e theksoi Presidenti Trump javën e kaluar.
"Ne u kemi shkaktuar humbje të rënda ISIS-it dhe do të tërhiqemi nga Siria shumë shpejt. Le të kujdesen për këtë vend njerëz të tjerë ", tha Presidenti Trump.
Njoftimi befasoi shumë njerëz në Uashington, përfshirë zyrtarët e Departamentit të Shtetit.
"Nuk e di. Unë do t’u sugjeroja që t’i drejtoheni Shtëpisë së Bardhë", tha Heather Nauert, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit
"Lajmi i mirë është se Shteti Islamik ka humbur kontrollin", thotë Seth Jones nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë pajtohen se Shteti Islamik nuk është më forca luftarake që ishte dikur. Por në Siri ende mbeten sfida, që nuk mund të injorohen nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
"Për aq kohë sa do të ketë qeveri të dobëta, të paefektshme, në shumë raste të paligjshme, do të ketë mundësi që grupe të ndryshme të përdorin territoret e këtyre vendeve si strehim, për të kryer sulme dhe për t'i përdorur ato si një platformë për realizimin e synimeve të tyre. Në Siri, ne vlerësojmë se ende ka 30 deri në 50 mijë xhihadistë që mund të hyjnë në Turqi", thotë eksperti Seth Jones.
Për momentin, operacionet e Shteteve të Bashkuara po vazhdojnë. Një zëdhënës i Pentagonit tha se misioni i ushtrisë amerikane për të mposhtur Shtetin Islamik "nuk ka ndryshuar".
Facebook Forum