Lidhje

Trump: SHBA, aleat i qëndrueshëm për vendet balltike


Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i qëndrueshëm i tre vendeve balltike dhe theksoi se do të vazhdojë t’i nxisë vendet e NATO-s që t’i shtojnë shpenzimet për mbrojtjen.

Presidenti Trump dha një konferencë të përbashkët shtypi me presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, pas takimit me ta në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se “vendet balltike duhet të kenë besim se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një vend mik dhe një aleat i fuqishëm dhe krenar për ta.”

Zoti Trump i vlerësoi të tre vendet balltike, anëtare të NATO-s, për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe shtoi se “përkushtimi i tyre për ndarjen e barrës së shpenzimeve” është një shembull për t’u ndjekur edhe nga vende të tjera.

Udhëheqësit e vendeve balltike theksuan përkushtimin e tyre ndaj sigurisë. Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite, tha se Artikulli i 5-të i NATO-s për mbrotjen kolektive është një ligj “i hekurt për të gjithë ne”. Ndërsa Presidentja e Estonisë, Kersti Kaljulaid, tha se vendet balltike “ janë një aks i së mirës”.

Presidenti Donald Trump u tha udhëheqësve të vendeve balltike se askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë sa ai dhe se po ushtron presion ndaj vendeve të NATO-s që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Ai tha se të mbash marrëdhëne të mira me Rusinë është diçka e mirë dhe jo e keqe. Kur e pyetën në se Rusia është një vend mik, apo armik, Trump u përgjigj: “Këtë do ta zbulojmë. Kur ta mësoj do t’ju njoftoj”.

Takimi u zhvillua ndërsa Shtëpia e Bardhë ka folur për mundësinë e një takimi Trump –Putin atje. Vendet balltike shihen si mburojë kundër agresionit rus në Europën Lindore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG