Prokurorët në Gjermani i kanë kërkuar një gjykate rajonale që të lejojë ekstradimin e ish udhëheqësit separatist katalanas Carles Puigdemont, i cili përballet në Spanjë me akuza për nxitje të kryengritjes, që lidhet me organizimin e referendumit për pavarësinë.
Puigdemont fillimisht u largua pas votimit nga Spanja për në Belgjikë, por më pas shkoi në Gjermani, ku që nga 25 marsi po mbahet i ndaluar.
Agjencia franceze e lajmeve njoftoi se avokati i zotit Puigdemont e ka apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë të Spanjës për ndjekjen e tij ligjore, nën akuzat për nxitje të kryengritjes, duke cituar se veprimet e tij nuk lidheshin me dhunën pas referendumit.
Me akuzat për kryengritje përballen edhe 24 udhëheqës të tjerë separatistë katalanas.
Ligjvënësit pro-pavarësisë fituan me një shumicë të vogël në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit në Katalonia. Por Parlamenti nuk ka mundur të emërojë një president të ri, që nga koha kur Puigdemont u largua nga vendi dhe e ardhmja e pavarësisë nuk është e qartë.
Separatistët cilësojnë rajonin e Katalonjës një lokomotivë të fuqishme ekonomike që drejton Spanjën dhe kërkojnë një autonomi më të madhe.
Facebook Forum