Lidhje

50 vjetori i vrasjes së Martin Luther Kingut


Më 4 prill është 50 vjetori i vrasjes së Martin Luther Kingut, njeriut që mobilizoi miliona njerëz për të mbrojtur të drejtat civile në Amerikë.

Nëpërmjet një filozofie që kundërshtonte dhunën, Martin Luther Kingu ndihmoi që Shtetet e Bashkuara të miratonin dy ligje të rëndësishme të shekullit të 20-të: Aktin për të Drejtat Civile të vitit 1964 dhe Aktin për të Drejtat e Votës një vit më vonë.

Martin Luther King ishte një udhëheqësi me mjaft ndikim, por herë-herë hezitues i Lëvizjes Amerikane për të Drejtat Civile.

50 vjetori i vrasjes së Martin Luther Kingut
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:48 0:00

Më 4 prill 1968 ai do të vritej në ballkonin e një moteli pranë qytetit Memphis të shtetit Tennessee. Njeriu i akuzuar për vrasjen ishte James Earl Ray, i cili më vonë u dënua me burg.

Më shumë se 100 mijë njerëz u rreshtuan në rrugët e Atlantës, vendlindja e Martin Luter Kingut, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Funerali i tij mblodhi disa nga njerëzit më të njohur të Amerikës: senatorin Robert Kennedy; Presidentin e ardhshëm Richard Nixon dhe aktivistin e të drejtave civile, Jesse Jackson.

Xhekson u intervistua nga Zëri i Amerikës në gusht të vitit 2011 me rastin e përurimit të një përmendoreje kushtuar Martin Luter Kingut në Uashington:

"Ai ishte një simbol i fuqisë dhe drejtësisë, i paqes dhe pajtimit, por na u desh të fitojmë disa beteja të mëdha për të arritur pajtimin. Beteja e Montgomerit, për shembull, ku pati edhe konfrontime.”

Betejat në Alabama ishin për të drejtat e votimit që u mohoheshin afrikano-amerikanëve në shumë pjesë të jugut amerikan. Ato u pasuan nga dhuna policore në qytetin Selma, që hyri në histori si "E diela e përgjakshme".

Kongresmeni John Lewis ishte një nga udhëheqësit e protestave të studentëve:

"Ata na u vërslën duke na rrahur me shkopinj dhe duke na shkelur me kuaj; Unë u godita në kokë nga me kamzhik. Mendova se do të vdisja. Mu duk sikur pashë vdekjen."

Dhuna në televizion shkaktoi një protestë kombëtare.

"Duhet që bota ta dijë se është e nevojshme të protestohet për këtë të keqe të trefishtë; që nga mohimi i të drejtës për të votuar e deri te dhuna e egër policore,” u shpreh Martin Luther King,

Pak ditë më vonë, një urdhër i gjykatës i dha leje Martin Luther Kingut të udhëhiqte me dhjetëra mijëra demonstrues, për të marshuar nga Selma deri në Montgomeri, kryeqytet i Alabamës.

John Lewis kujton këtë episod:

"Martin Luther Kingu erdhi për të më vizituar në spital dhe tha: "John, mos u shqetëso. Ne do ta bëjmë marshimin dhe Akti i të Drejtave të Votimit do të miratohet."

Një vit pasi Presidenti Lyndon Johnson, nënshkroi Ligjin mbi të Drejtat Civile, strategjia e Martin Luther Kingut për protesta paqësore çoi në nënshkrimin e Aktit të të Drejtave të Votimit në vitin 1965.

"Martin Luther Kingu besonte tek procesi ligjor. Por ai mendonte se ky proces ishte tepër i ngadalshëm, prandaj duhej demonstruar, duhej edhe procesi legjislativ. Ai besonte në veprimin masiv për të transformuar kulturën që ekzstonte në atë kohë,” thotë Jesse Jackson.

Më i famshmi ishte marshimi i marsit 1963 në Uashington.

Rreth 250 mijë njerëz u mblodhën në lëndinën qendrore të kryeqytetit për të dëgjuar fjalimin e Martin Luther Kingut.

Ishte fjalim për ëndrra e lirisë dhe të barazisë në një vend që u ndërtua mbi shpinat e skllevërve.

Gazetari i New York Times-it Earl Caldwell u dërgua në Memphis për të mbuluar aktivitetet e Martin Luther Kingut:

"Martin Luther Kingu më tha se do të mblidhte njerëz të varfër nga i gjithë vendi, do t'i sillte në Uashington dhe do të ndalte punën e qeverisë derisa ajo të trajtonte çështjen e varfërisë veçanërisht mes afrikano-amerikanëve.”

Miratimi i Ligjit për të Drejtat Civile vërtet solli ndryshime ligjore në vitet 1960, por ndryshimi i vërtetë shpesh është i ngadaltë.

"Ne sot jemi një vend i ndryshëm dhe më mirë në kuptimin që ligjet barbare të aparteidit racor kanë marrë fund, por ende ka një hendek ekonomik. Ne jemi të lirë, por më pak të barabartë", thotë Jesse Jackson.

Trashëgimia e Martin Luter Kingut si udhëheqës i protestës paqësore vazhdon. Kohët e fundit, rreth 800 mijë njerëz u mblodhën në Uashington për të kërkuar kontrolle më të forta mbi armët e zjarrit. Mes tyre ishte edhe mbesa e Martin Luter Kingut, Yolanda:

"Gjyshi im kishte një ëndërr që katër fëmijët e tij të vegjël nuk do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri".

Para vrasjes në vitin 1968, Martin Luter Kingut iu dha Çmimi Nobel i Paqes për fushatën e tij të padhunshme për barazi. Sot më shumë se 100 shkolla dhe mbi 900 rrugë në Shtetet e Bashkuara mbajnë emrin e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG