Lidhje

Tensione të forta në Gjykatën e Tiranës


Në Shqipëri seanca në Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë për 23 të ndaluarit e protestës së fundjavës së shkuar, kundër tarifës 5-22 euro për kalimin në Rrugën e Kombit, po zhvillohet në një situatë tensioni. Disa qindra forca policie rrethuan të gjithë zonën duke ndaluar dhe qarkullimin në aksin përpara Gjykatës. Situata u acarua ndërsa deputetët e opozitës kërkuan të hyjnë në sallën e gjyqit, por nuk u lejuan nga forcat e policisë. Deputetët e opozitës folën për një ushtrim dhune ndaj tyre. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho i cili u shfaq me shenja gërvishtje e gjaku në fyryrë tha se “policët nuk na lejuan që të futemi brenda, ushtruan dhunë. Kanë rrethuar gjysmën e Tiranës për gjyqin, por nuk do ia dalë dot, nuk do ta lejojmë. Shikoni në cfarë gjendje jemi, jemi në shtetin diktatorial të Edi Ramës, por nuk ia del dot me dhunë, do përplaset me ne dhe qytetarët”, paralajmëroi zoti Spaho.

Ishte më pas gjykatësja e seancës gjyqësore ajo që vendosi pjesmarrjen e një grupi deputetësh në sallë. Të 23 të ndaluarit akuzohen për “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtim të forcave të policisë”. Gjatë protestës të së shtunës, manifestuesit u përplasën me forcat e Rendit duke qëlluar dhe me gurë ndaj tyre, ndërsa i vunë flakën dhe shkatërruan plotësisht sportelet e pagesës së tarifës së parashikuar.

Seanca për masën e sigurisë u vendos të zhvillohej në Tiranë, për shkak të mungesës së një mjedisi të përshtatshëm në Gjykatën e Kukësit, për të patur në një sallë të vetme të 23 të ndaluarit. Për këtë arsye në Tiranë u transferuan sot si gjykatësja e Kukësit ashtu dhe prokurorët e kësaj çështjeje. Përballë gjykatës, familjarë të të ndaluarve dhe mbështetës së tyre po protestojnë me thirrjet për lirimin e tyre.

Prokuroria nga ana e saj ka kërkuar që për një pjesë të të arrestuarve të mbetet në fuqi masa e arrestit, ndërsa për disa të tjerë “arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitje”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG