Lidhje

Shqipëri, protestat bllokojnë 4 akse rrugore


Në Shqipëri, për më shumë se dy orë, katër akse kryesore të rrugëve kombëtare që çojnë drejt Tiranës u bllokuan sot gjatë një proteste të opozitës, e cila i kërkon kryeministrit të tërhiqet nga tarifa që është vendosur për t’u paguar në Rrugën e Kombit dhe disa taksa të tjera. Drejtuesit e opozitës deklaruan se ky është vetëm fillimi i përgjigjes popullore ndaj qeverisë. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama bëri një hap pas sot kur deklaroi në parlament se tarifa në Rrugën e Kombit nuk do të zbatohet derisa të gjendet një zgjidhje për banorët e zonës

Shqipëri, protestat bllokojnë 4 akse rrugore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Protestat nisën thuajse në të njejtën kohë në të katër akset e paralajmëruara që më parë nga opozita, në Vorë, një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit të mjeteve nga Jugu drejt Tiranës, në Bradashesh të Elbasanit, kun is rruga drejt kryeqytetit, në Cermë, ku kalon fluksi kryesor i jugut të vendit dhe në Milot ku bashkohen rrugat nga Shkodra dhe nga Kosova për në Tiranë. Policia e cila kishte deklaruar se manifestimet ishin të paligjshme, ja njoftoi këtë gjë pjesmarrësve në protestën në Milot, ku pati disa moment tensioni, por pa vijuar më tej për ta penguar atë. Në pikat e tjera ajo ishte e pranishme me një numër normal forcash.

Drejtuesit e opozitës ishin shpërndarë në të katër akset e bllokuara. Kryetari demokrat Lulzim Basha ju bashkua protestuesve në Vorë, ndërsa Monika Kryemadhi e LSI-së ishte në Elbasan. Për më shumë se dy orë gjithshka shkoi pa incidente, përjashtuar djegiet e gomave në Bradashesh dhe Milot. Për kryetarin demokrat Basha “shqiptarët janë ngritur dhe do të qëndrojnë derisa ta largojnë këtë regjim kriminal. Ky është vetëm fillimi i përgjigjes popullore, kundër regjimit të padrejtësisë, kundër regjimit privat dhe kriminal. Ne do ta çlirojmë shtetin nga kjo bandë kriminale. Ne do ta kthejmë institucionin e shtetit qytetarëve. Ne do t’i kthejmë drejtësinë e pakapur politike, qytetarëve. Ne do t’i kthejmë policinë e privatizuar nga kriminelët e Edi Ramës, qytetarëve".

Edhe për zonjë Kryemadhi protestat e sotme “janë vetëm fillimi i fundit të kryeministrit”, i cili sipas saj duhet të plotësojë ato që ajo i quajti kërkesa ultimative: "Po nuk u tërhoq nga taksa e Rrugës së Kombit, po nuk liroi djemtë kuksianë, po nuk hoqi TVSH për biznesin e vogël, po nuk riktheu në listën e ndihmës ekonomike, mbi 20 mijë familje, po nuk hoqi taksnë e pronës, po nuk uli çmimin e ujit dhe të gjitha taskat që po I marrin frymën shqiptarëve, kjo protestë nuk do të ndalojë”.

Në fakt, ishte pikërisht protesta e fundjavës së shkuar për tarifën e pagesës në Rrugën e Kombit ajo që ndezi fitilin e zemëratës dhe që nxiti opozitën të përshkallëzojë kundërshtitë e saj ndaj qeverisë.

Sot në parlament, në sallën ku ishin vetëm deputetët e shumicës, Kryeministri Edi Rama kërkoi ndjesë banorëve të Kukësit që nuk ishin informuar dhe konsultuar më parë. Ai bëri një tërheqje pas kur njoftoi se “vendimi ynë është i qartë.Ne nuk do të fillojmë sistemin e pagesës, pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”.

Por për opozitën, kjo është vetëm një përpjekje e kryeministrit për të fituar kohë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG