Lidhje

Lu: Po mbështesim hetimin ndaj Llallës


Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po mbështesin hetimin e nisur ndaj ish kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Komentet e tij ai bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan, ku foli dhe për zhvillimet e fundit që nga protesta e dhunshme e fundjavës së shkuar kundër vendosjes së një tarife për kalimin në Rrugën e Kombit, te thirrjet e opozitës për mosbindje civile. Ambasadori Lu u ndal dhe te “peshqit” e krimit dhe korrupsionit, rastin Balili, për të cilin tha se mendon se gjendet në Shqipëri apo dhe rastin e ish ministrit Tahiri, si dhe për ndikimin rus dhe dyshimet mbi lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara.

PROTESTAT PER TARIFEN E RRUGES SE KOMBIT

Ambasadori amerikan komentoi dhe zhvillimet e fundit duke nisur që nga protesta e fundjavës së shkuar kundër pagesës së tarifës për Rrugën e Kombit deri te thirrjet e opozitës për mosbindje civile.

“Të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë paqësisht, përfshi në Kukës. Dhe e kuptoj njerëzit në Kukës janë të inatosur. Nuk kanë të drejtë të shkojnë të djegin kabinat e toll-eve, nuk kanë të drejtë të gjuajnë me gurë policinë. Në të njëjtën kohë, policia nuk ka të drejtë të lëndojë protestuesit apo të kapin njerëzit për arrestime masive në mes të natës”, deklaroi ambasadori duke shpjeguar se “i kam bërë thirrje Kryeministrit dhe kreut të opozitës që tani të tregojnë vetëpërmbajtje, që secili të ruajnë qetësinë dhe që kjo të zgjidhet me anë të dialogut”.

Lidhur me thirrjet e opozitës drejtuar qytetarëve për mosbindje civile ai u shpreh se “në çdo demokraci, njerëzit duhet të ngrenë zërin, Nëse do të bllokojnë rrugë, të mos paguajnë taksa, apo të bëjnë veprimtari të tjera të jashtëligjshme, duhet të jenë të përgatitur për pasojat ligjore. Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë me mosbindjen civile, por ata persona, ata protestues kanë qenë të përgatitur të shkojnë në burg për bindjet e tyre”.

PESHQIT E MEDHENJ TE KRIMIT DHE KORRUPSIONIT

Ambasadori amerikan u shpreh optimist se shumë shejt do të mund të shihen rezultate, duke përmendur rastin e një shqiptari Met Kanani të kapur pak javë më parë në Turqi “me ndihmën e qeverisë shqiptare”, apo të Arbër Çekajt, një nga personat e dyshuar për trafikimin e 613 kilogram kokainë të sekuestruar në Durrës. Ai foli dhe për rastin e Klement Balilit, për të cilin ambasadori amerikan tha se “besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë”.

Ambasadori Lu u shpreh me tone optimiste dhe për hetimet apo ndjekjen penale të zyrtarëve, duke përmendur rastin e fundit të kryebashkiakut të Lezhës, i dyshuar për abuzime me pronat, hetimet për ish kryebashkiakun socialist të Kavajës, apo dhe dyshimet për ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj “për të cilin Komisioni i Vettingut ka gjetur prova të mjaftueshme kundër tij për korrupsion për t’ia referuar çështjen e tij prokurorisë dhe gjykatës”.

Ambasadori amerikan u ndal më gjatë dhe për rastin e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, është i pari zyrtar i lartë për të cilin Shtetet e Bashkuara vendosën t’i ndalojnë hyrjen në territorin e tyre pasi “kishte prova të mjaftueshme për të besuar se zoti Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm”, u shpreh ai. Ndaj zotit Llalla ka nisur një hetim dhe në Shqipëri, i cili “po mbështetet nga Qeveria e SHBA. Po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë”.

Ambasadori Lu, përmendi dhe rastin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është në hetim për dyshimet për lidhje me trafikantë të drogës. “Besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Pozicioni i Qeverisë amerikane dhe ambasadës amerikane – shpjegoi ambasadori amerikane - është se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova…”.

Në opinion qarkullojnë dyshime se goditjet e tanishme synojnë kryesisht kundërshtarët e socialistëve në pushtet. Ambasadori Lu u shpreh se “jemi të interesuar të shohim më shumë ndjekje penale në rradhët e shumicës, dua të jem shumë i qartë për këtë. Ka njerëz të cilët, unë besoj se meritojnë të ndiqen penalisht dhe qeveria e SHBA është gati të mbështesë zonjën Marku, prokurorët dhe policinë në këto çështje”.

NDIKIMI RUS

Gjatë intervistës së tij ambasadori amerikan foli dhe për ndikimin rus dhe rastin e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara ku së fundi u hodhën dyshime për përfshirje dhe personazhesh nga Rusia, gjë të cilën vetë PD e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike.

“Kemi monitoruar atë që ndodh këtu me rusët nga shumë afër. Nuk mund të them se kemi shumë hollësi për këtë tani, por ju siguroj që ne këtë çështje e ndjekim nga shumë, shumë afër”. Edhe për rastin e lobimit të PD ambasadori amerikan u shpreh se “dimë shumë dhe kemi ditur në fakt për gjashtë muaj se çfarë ndodh me këtë rast. Janë dy çështje këtu. Njëra çështje është nëse janë shkelur ligje në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Në SHBA mund ta dini se kemi ligje kundër të huajve që ofrojnë para për fushata politike. Në Shqipëri, dimë që Lulzim Basha ka kërkuar nga prokuroria të hapin një hetim. Kanë hapur një hetim dhe janë në proces për t’i kërkuar SHBA, qeverisë së SHBA dhe prokurorëve të SHBA, për dokumente për këtë çështje. Pra, ka një hetim të hapur në Shqipëri. Nuk mund të konfirmoj nëse ka një hetim të hapur në Shtetet e Bashkuara”. Ambasadori amerikan tha megjithatë se “po e ndjekim çështjen nga shumë afër, nëse rusët kanë dhënë kontribute tek lobisti në emër të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një përpjekje shumë serioze nga rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet e një shteti anëtar të NATO-s”, theksoi ambasadori amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG