Lidhje

Trump akuzon Rusinë dhe Iranin, se po mundësojnë barbaritë në Siri


Putin Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar homologun e tij rus Vladimir Putin dhe Iranin, se kanë mundësuar sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri të shtunën në mbrëmje. Sipas aktivistëve sirianë dhe burimeve mjekësore bëhet fjalë për të paktën 40 të vdekur.

Sulmi i dyshuar me klor ndodhi gjatë një ofensive qeveritare për të rimarrë zonat e kontrolluara nga rebelët pranë Damaskut pas dështimit të një armëpushimi me ushtrinë e grupit rebel islamik.

Në një postim në Twitter të dielën, zoti Trump akuzoi Rusinë dhe Iranin për mbrojtjen që i bëjnë presidentit sirian Bashar al-Assad dhe lejimin e mizorive të kryera nga trupat e tij.

Imazhet e fëmijëve që vuajnë pas një sulmi të dyshuar me armë kimike në qytetin e kontrolluar nga forcat rebele atë të Doumës, pranë kryeqytetit sirian Damask, kanë shkaktuar sërisht zemërim ndërkombëtar.

Sipas dëshmitarëve nga trupat e viktimave dilte një erë e ngjashme me atë të gazit klorin dhe disa prej tyre e kishin lëkurën në ngjyrë blu, që mund të jetë një shenjë e mungesës së oksigjenit.

Në një postim në twiter të dielën, Presidenti Trump e quajti sulmin një akt "të sëmurë e të çmendur" dhe tha se “ kjo do të paguhej shtrenjt".

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Tomas Bossert, tha për emisionin "This Week" në rrjetin televiziv ABC se "presidenti po diskuton opsionet me këshilltarët e tij kryesorë të sigurisë kombëtare”.

"Nuk është fjala vetëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo është një nga ato çështje për të cilat çdo komb, të gjithë popujt, kanë rënë dakord që prej Luftës së Dytë Botërore se përbën një praktikë të papranueshme", tha Thomas Bossert, këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi Perëndimin për mbështetjen e qeverisë siriane.

"Ju perëndimorë, kur do të ktheheni e të shihni këta fëmijë, këto gra që po vriten në Ghoutan lindore, në mënyrë që të themi se po veproni me drejtësi".

Sulmi i dyshuar i së shtunës me gaz klorin vjen disa ditë pasi zoti Trump bëri të ditur se donte të tërhiqte trupat amerikane nga Siria në kundërshtim me këshillën e udhëheqësve të tij ushtarak. Zoti Bossert tha se Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar më shumë se sa u takon për të garantuar sigurinë në botë.

"Është koha për ndryshim, që partnerët rajonalë e të tjerë me përfaqësi të barabartë në këto çështje në të gjithë globin, të vënë në dispozicion burimet e tyre, djemtë dhe vajzat e tyre në vijën e frontit dhe jo vetëm trupat amerikane. Trupat amerikanë nuk do t’i ndreqin gjashtë apo shtatë konflikte e luftra të ndryshme e të vazhdueshme në Lindjen e Mesme apo në Siri në këtë fazë".

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Rusisë të ndalë mbështetjen ndaj presidentit sirian dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të "parandaluar sulme të mëtejshme barbare me armë kimike".

Rusia dhe Siria mohojnë të ketë ndodhur ndonjë sulm me armë kimike. Forcat e Assad-it u akuzuan për një sulm të ngjashëm kundër rebelëve në Idlib rreth një vit më parë. Hetuesit ndërkombëtarë dolën në përfundimin se me shumë gjasë forcat ajrore siriane përdorën gazin sarin në sulmin ku u vranë 100 vetë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG