Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbron vendimin për dërgimin e trupave në kufirin me Meksikën


Shtëpia e Bardhë po mbron vendimin e Presidentit Donald Trump për të dislokuar personel ushtarak në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, ndërkohë që vetëm disa shtete amerikane kanë rënë dakord deri tani të vënë në dispozicion trupa të Gardës Kombëtare për të mbështetur agjentët e patrullave të kufirit. Në Uashington programi i presidentit për imigracionin është bllokuar pothuajse plotësisht deri tani.

Fermeri nga Jugu i Teksasit dhe veteran i ushtrisë, Ruperto Escobar ka rënë dakord që të lejojë ushtarët amerikanë në tokën e tij, që shkon deri në Rio Grande.

“Kështu mund të frenojmë 50 për qind të drogave të paligjshme që kapërcejnë kufirin. Kontrabandistët vijnë, i kam parë natën, i dëgjoj”.

Në Meksikë, imigrantët nga Amerika Qendrore protestojnë para ambasadës amerikane, duke thënë se nuk kishin alternativë tjetër përveçse të braktisnin vendet e tyre.

“Ne po vuajmë shumë, nga qeveria, nga bandat. Njerëzit nuk kuptojnë. Arsimi nuk ekziston”, thotë Nelson David, imigrant nga Hondurasi.

Presidenti Donald Trump vazhdon të jetë i prerë, duke shkruar në Twitter: “Po mbyllim kufirin tonë jugor. Njerëzit në vendin tonë të mrekullueshëm duan siguri”.

“Duhet t’u dërgohet mesazhi i një semafori të kuq: Mos ejani më, mos e ndërmerrni atë udhëtim”, thotë Thomas Bossert, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Qëndrimi i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë nuk ka ndryshuar nga rënia e rasteve të kapërcimit të paligjshëm të kufirit vitin e kaluar.

“Ajo që kemi në kufi është si një anije që fut ujë dhe ne të gjithë po debatojmë se sa ujë ka hyrë dhe sa shpejt po e heqim ujin. Presidenti është shprehur qartë. Kupa është mbushur. Duhet rregulluar problemi dhe duhet ndalur hyrja e ujit”.

Dy shtete kufitare të Amerikës, Arizona dhe Teksas, iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Presidentit Trump dhe ranë dakord që të dërgojnë trupa të Gardës Kombëtare. Shtete të tjera nuk janë përgjigjur ose kanë lënë të kuptohet se do të përgjigjen negativisht. Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, shkruajti në Twitter: “Jam thellësisht e shqetësuar nga plani i zotit Trump për të militarizuar kufirin”.

“Nuk mund ta sigurosh kufirin vetëm duke dërguar trupa të Gardës Kombëtare”, thotë senatori republikan, Lindsey Graham.

Senatori Graham kontribuoi në hartimin e një projekt-ligji dypartiak për të forcuar sigurinë e kufirit, reformuar imigracionin e ligjshëm dhe për të legalizuar statusin e imigrantëve pa dokumenta që janë sjellë në Amerikës, si fëmijë. Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë propozimin duke thënë se nuk kishte asnjë shans.

Ndërkohë, senati i udhëhequr nga republikanët votoi kundër reformës së imigracionit së Presidentit Trump, gjykatat kanë bllokuar zbatimin e urdhrit të tij për të eliminuar DACA-n dhe Kongresi ka miratuar vetëm fonde minimale për barrier të reja në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Senatori Graham thotë se një marrëveshje dypalëshe për imigracionin vazhdon të jetë e nevojshme, ashtu si edhe përpjekjet për të përmirësuar kushtet e jetesës në Amerikën Qendrore dhe vende të tjera.

“Njerëzit në jug të vendit tonë nuk kanë ekonomi të forta dhe nëse nuk rregullon ekonominë, problemi i imigracionit nuk zgjidhet kurrë. Prandaj vetëm ngritja e murit nuk bën asgjë”.

Presidenti Trump ka mundësi të vihet para presionit për programin e tij të imigracionit dhe tregëtisë këtë javë në takimin e nivelit të lartë kontinentit amerikan në Peru.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG