Lidhje

Zuckerberg kërkon ndjesë; Amerikanët humbin besimin te Facebook-u


Ekzekutivi i gjigantit të mediave sociale Facebook, Mark Zuckerberg, kërkoi ndjesë për incidentin që çoi në vjedhjen e të dhënave personale të miliona përdoruesve.

Në një dëshmi me shkrim drejtuar ligjvënësve amerikanë, Zuckerberg tha të hënën se rrjeti i mediave sociale duhet të kishte bërë më shumë për të mbrojtur veten dhe për të mos lejuar keqpërdorimin e të dhënave.

Komentet vijnë në prag të dëshmisë rreth skandalit që ai do të japë të martën dhe të mërkurën përpara dy komisioneve të Kongresit amerikan.

"Ishte gabimi im dhe kërkoj ndjesë," shkruante Zuckerberg.

BIE BESIMI TE FACEBOOK-U

Amerikanët po e humbasin me shpejtësi besimin te Facebook-u pas problemeve të shumta rreth asaj se si kompania e trajton informacionin personal dhe për faktin që lejon potencialisht përhapjen e të ashtuquajturave lajme të rreme.

Ndërkohë që themeluesi i kompanisë, Mark Zuckerberg, vjen të martën në Uashington për të dëshmuar përpara ligjvënësve, një sondazh i Aleancës për Qytetarët Digjitalë, që merret me sigurinë në internet, zbulon se pothuajse një në çdo katër amerikanë thonë se "Facebook-u nuk është një kompani e përgjegjshme, sepse në shumicën e rasteve vë fitimin mbi të gjitha, para se të përpiqet të bëjë atë që duhet”.

Më pak se një e treta e të aketuarve mendon se Facebook-u, me 2 miliardë përdorues në mbarë botën, është një "kompani e përgjegjshme, sepse përpiqet të bëjë gjënë e duhur në shumicën e rasteve, edhe nëse kjo i dëmton fitimin.”

Gjithashtu, një në çdo shtatë amerikanë thonë se "Facebook-u ka pasur një ndikim negativ mbi debatin politik".

Gjashtëdhjetë e një për qind besojnë se "Facebook-u ka dëmtuar politikën amerikane dhe e ka bërë atë më negative, duke mundësuar manipulime dhe gënjeshtra që polarizojnë njerëzit."

"Facebook-u është në udhëkryq për shkak të paaftësisë së tij, gati një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për të kontrolluar efektet përçarëse mbi shoqërinë", thotë Tom Galvin, Drejtor Ekzekutiv i Aleancës për Qytetarët Digjitalë.

"Nga shpërndarja e informacioneve të rreme dhe manipuluese e deri te shndrrimi në një mjet të ngjashëm me Rrjetin e Errët për tregtinë e paligjshme, - thotë Galvin, - Facebook-u duket se po humbet besimin e publikut amerikan. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, imponimi i rregullave mbi këtë kompani mediash sociale nuk do të jetë i largët”.

Sondazhi i realizuar me 925 amerikanë, zbulon se 53 për qind e të aketuarve, kundrejt 26 për qind, thonë se është detyrë e Facebook-ut për të hequr ose paralajmëruar përdoruesit për lajme që mund të jenë të rreme. Rreth 60 për qind thonë se kompania nuk po bën sa duhet për të parandaluar përhapjen e informacionit të rremë.

Problemet e Facebook-ut janë shtuar vitet e fundit me pohimet se kompania ka lejuar fushatat politike të hyjnë në të dhënat e përdoruesve. Ish ekzekutivë të kompanisë kanë thënë gjithashtu se Facebook e ka ashpërsuar debatin politik në vend dhe se përdorimi i tepruar i tij mund të jetë i dëmshëm për të rinjtë.

Kompania ka lejuar që disa vrasje dhe vetëvrasje të transmetohen drejtpërdrejt në platformën e saj. Ligjvënësit pritet të shqyrtojnë masa për të imponuar një rregullim të mundshëm nga ana e qeverisë mbi mediat shoqërore. Kreu i Facebook-ut Zuckerberg ka thënë se është i hapur ndaj masave të tilla të mundshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG