Presidenti Donald Trump u zgjodh në vitin 2016 kur ai bartëte me krenari imazhin e trazuesit të ujrave politike. Gjatë javëve të fundit, ai i është rikthyer fillesave të tij si kandidat në zgjedhjet presidenciale, ndonjëherë duke hedhur madje mënjanë tekstin e parapërgatitur dhe duke dhënë mesazhe që synojnë të kënaqin njerëzit që shërbejnë si bërthama e mbështetësve të tij. Por, kjo mund të sjellë edhe pasoja politike të paparashikuara.
Gjatë një vizite në West Virginia për të diskutuar mbi reformën e taksave, Presidenti Trump vendosi të dalë nga fjalimi i planifikuar.
“Ky ishte fjalimi im i planifikuar, por kujt i duhet... Do kishte qenë paksa i mërzitshëm”, i tha publikut Presidenti Trump ndërsa hidhte në ajër faqet e fjalimit të tij.
Ky moment simbolizon një tipar të presidencës së tij dhe një rikthim tek fillesat e tij si një kandidat që kërkon të kënaqë mbështetësit e tij të bazës.
Shembull tjetër është çështja e tarifave ndaj importeve nga Kina.
“Për shumë vite, asnjë president nuk donte t’i kundërvihej ekonomikisht Kinës. Ne do ta bëjmë”, deklaroi Presidenti Trump.
Dje, ai shkroi në Twitter për “tregtinë e pakuptimtë” me Kinën. Por, ndërsa Kina po kundërpërgjigjet me barriera tregtare, fermerët shqetësohen.
“Mezi po presim të kemi më shumë fitim këtë vit, pas uljes së taksave. Por, shpresoj mos të zhbëhen për shkak të tarifave”, thotë fermeri i derrave nga shteti Iowa, Jeff Rehder.
Megjithë shqetësimet, Presidenti Trump duket se po dëgjon më shumë instiktin e tij të brendshëm politik, thotë analisti Larry Sabato.
“Mua më thotë se Donald Trump beson se mund ta drejtojë të gjithë administratën nëpërmjet Twitter-it, qoftë kur deklaron një politikë të re apo kur po merr masat për shkarkimin e Sekretarit të Shtetit”, thotë zoti Sabato.
John Fortier thotë se zoti Trump u zgjodh si një trazues i ujrave të politikës dhe se tashmë po përpiqet ta vazhdojë këtë gjë.
“Ishte një i kandidat i jashtëm i fortë, të cilit i duhej të hapte rrugën vetë. Mendoj se ky president do të jetë gjithnjë i tillë”, thotë zoti Fortier.
Michael Barone thotë se roli i të ardhurit nga jashtë politikës, zë vend ndër mbështetësit në shtete si West Virginia.
“Përgjithësisht nuk duket shumë i interesuar që të zgjerojë bazën e tij. Duket se i intereson të ndjekë politikat për të cilat luftoi”, thotë zoti Barone.
Por, ndërsa Presidenti Trump del nga fjalimet e parapërgatitura, ai po ushqen energjitë e kundërshtarëve demokratë, ndërsa mund të përballet me kosto elektorale gjatë zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin, të cilat zhvillohen në muajin nëntor.
“Duket se ai po ua shton energjitë demokratëve si kurrë më parë. Për rrjedhojë, ata angazhohen shumë më tepër në nivel lokal dhe kombëtar”, thotë Ken Gude, i Qendrës për Progresin Amerikan.
Për momentin sidoqoftë, Presidenti Trump duket se është komod drejt një rrugëtimi ku ai mbështet tek vetja si këshilltari më i mirë për politikat.
Facebook Forum