Lidhje

Trump anulon vizitën në Amerikën Jugore, shqyrton vendimin për Sirinë


Forcat qeveritare siriane janë vënë në gatishmëri të lartë në të gjithë vendin, nga frika e një goditjeje amerikane, pas një sulmi të kryer me sa duket me armë kimike pranë Damaskut.

Siria ftoi të martën organizatën vëzhguese ndërkombëtare të armëve kimike për të hetuar sulmin e dyshuar me gaz helmues gjatë fundjavës në një qytet të mbajtur nga kryengritësit. Aktivistët e opozitës thonë se nga sulmi kimik janë vrarë 40 vetë.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ushtarake. Ai ka deklaruar se do të reagojë fort ndaj sulmit të së shtunës mbi civilët në qytetin Douma dhe ka paralajmëruar se Rusia ose çdo vend tjetër që mban përgjegjësi për sulmin do të paguajë një çmim.

Të martën, Presidenti Trump anuloi planet e një vizite në Amerikën e Jugut. Ai ka vendosur të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për të menaxhuar kundërpërgjigjen amerikane ndaj ngjarjeve në Siri. Është hera e parë që një president amerikan nuk merr pjesë në Samitin e Kontinentit Amerikan. Në vend të tij do të shkojë nënpresidenti Mike Pence.

Aktivistët sirianë të opozitës kanë fajësuar forcat e presidentit Bashar Assad për sulmin e dyshuar kimik në Douma, baza e fundit kryengritëse në periferi të Ghoutës lindore. Qeveria siriane dhe mbështetësit e saj rusë mohojnë akuzat dhe e vënë në pikëpyetje nëse vërtet ka patur një sulm me armë kimike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG