Lidhje

Ekspertët për bisedimet SHBA-Koreja e Veriut


Pas komunikimeve përmes kanaleve sekrete, Shtetet e Bashkuara thonë se tani kanë konfirmim të drejtpëdrejtë nga udhëheqësi koreanoverior Kim Jong-Un se ai do të diskutojë për çnuklearizimin me Presidentin amerikan Donald Trump. Por ekspertët i thanë shërbimit korean të Zërit të Amerikës, se koncepti i Phenianit për çnuklearizimin mund të mos jetë i njëllojtë me atë të Uashingtonit:

Sipas Presidentit amerikan Donald Trump, bisedimet me Korenë e Veriut mund të mbahen që në muajin maj, ose qershor.

“Unë mendoj se të dyja palët kanë për të treguar respekt dhe shpresoj të arrijmë një marrëveshje për çmilitarizimin bërthamor të Koresë së Veriut. Ata e kanë thënë këtë, ashtu sikurse edhe ne, shpresoj se kemi për të patur një marrëdhënie tepër të ndryshme nga ajo që kemi parë për vite me radhë,” – tha Presidenti Trump.

Kjo është hera e parë që Pheniani sinjalizon drejpëtdrejt dëshirën për të diskutuar mbi arsenalin e vet bërthamor me një president amerikan. Armët kanë qenë prej një kohe të gjatë një pikë kyçe në marrëdhëniet mes të dy vendeve. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur një fushatë me presione maksimale dhe sanksione të ashpëra ekonomike për ta bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi bërthamor. Por mund të ketë edhe mënyra të tjera.

“Nëse Shtetet e Bashkuara shkojnë në tryezën e bisedimeve dhe thonë: OK, le të diskutojmë çështjen e parë që kemi në plan, - heqjen dorë nga të gjitha armët bërthamore, ky nuk ka për të qenë një diskutim produktiv,”- thotë ish ambasadori Amerikan James Jeffrey.

Pheniani ka vendosur kushte të vështira në të kaluarën, si tërheqja e plotë e trupave amerikane nga gadishulli korean. Analistët thonë se kjo do të cënonte Korenë e Jugut, duke shkaktuar dëme madhore ndaj aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Rruga e mesme mund të jetë më e mira për trajtimin e kësaj çështjeje.

“Duhet kërkuar prej tyre një përgjigje me të njëjtën monedhë. Ne duhet të themi, OK, le të fillojmë me të gjitha sanksionet që ka vendosur ndaj jush administrata Trump. Çfarë do të ofronit ju Kim Jong Un, përveç pezullimi të programit bërthamor që ne të heqim sanksionet?”

Por ndërsa Shtëpia e Bardhë përgatitet për një takim që mund të jetë historik, ish diplomati amerikan Thomas Countryman paralajmëron se zoti Trump nuk duhet ta nënvlerësojë homologun e tij koreanoverior:

“Presidenti Trump duhet të bëjë dy gjëra të rëndësishme. E para është që të përgatitet po aq intensivisht sa do të përgatitetet edhe Kim Jong Uni. Zoti Trump duhet t’i dëgjojë këshilltarët e tij, kur t’i rrëfejnë historinë e programit bërthamor të Koresë së Veriut. Si sillen ata, cilat janë taktikat e tyre të negociimit?”

Ekspertët thonë se Shtëpia e Bardhë mund t’i përdorë bisedimet ndërkoreane, si një model për negociatat e ardhshme.

Deri tani, nuk ka ende detaje për datën, apo vendin ku do të mbahet takimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG