Lidhje

Turqi, gjykata vendos për mbatjen në burg të pastorit amerikan


Një gjykatë turke vendosi që pastori amerikan Andrew Brunson i cili përballet me akuzat për terrorizëm dhe spiunazh të vazhdojë të qëndrojë në burg. Çështja ndaj tij është kthyer në një moment tensioni mes SHBA-së dhe Turqisë. Pastori amerikan akuzohet se ka ndihmuar në përpjekjet për grusht shteti të vitit 2016.

Vendimi i marrë të hënën nga gjykata për ta zgjatur qëndrimin e tij 18 mujor pas hekurave, u bazua tek të dhënat e dëshmitarëve se Andrew Brunsoni përbënte një rrezik për t’u larguar nga Turqia.

"Natyrisht, nuk jemi të kënaqur me vendimin që klienti ynë të qëndrojë në burg pavarësisht nga një hetim i gjatë, një periudhë e gjatë burgimi, pune të vështirë dhe mungese provash. Ne do ta kundërshtojmë. Dëshmitarët do të dëgjohen në seancën e ardhshme. Por ne besojnë se akuza e spiunazhit ka rënë plotësisht gjatë kësaj seance dëgjimore. Shpresojmë në lirimin e tij në seancën e ardhshme", tha Ismail Cem Halavurt, avokati i Andrew Craig Brunson.

Çështja kundër Andrew Brunson-it është kthyer në një moment tensioni mes SHBA-së dhe Turqisë.

"Andrew Brunsoni është i pafajshëm. Shpresojmë se sistemi gjyqësor do ta vërtetojë këtë dhe ai do të lirohet së shpejti. Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë thellësisht mardhëniet me Turqinë. Dy vendet kanë qenë aleatë për një kohë të gjatë. Ai mbahet ndërsa është i pafajshëm dhe kjo përbën një pengesë për ecjen përpara të mardhënieve tona”, tha Sam Brownback, Ambasador i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare në Botë.

Andrew Brunson akuzohet se ka ndihmuar një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016 të organizuar sipas akuzës, nga grupi terrorist që drejtohet nga kleriku turk me bazë në SHBA Fethullah Gulen. Ky i fundit i ka mohuar akuzat. Zoti Brunson i cili jeton në Turqi prej 23 vitesh është pastor i një kishe në Izmir. Seanca gjyqësore e radhës është parashikuar të mbahet në 7 maj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG