Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Pheniani të ndërmarrë hapa konkretë drejt çarmatimit bërthamor


Shtëpia e Bardhë deklaroi të hënën se qëllimi përfundimtar i çdo negociate që Presidenti Trump do të zhvillojë me Korenë e Veriut do të jetë çarmatosja bërthamore.

"Ata kanë filluar tashmë të bëjnë disa hapa që ne mendojmë se përbëjnë përparim", tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders. "Por ne sigurisht që e dimë se kemi një rrugë të gjatë përpara".

Zonja Huckabee Sanders u tha gazetarëve se "Uashingtoni do të vazhdojë fushatën e presionit maksimal. Ne duam të shohim të ndërrmerren hapa të vërtetë e konkretë në drejtim të çarmatimit bërthamor”, tha ajo.

Njoftimi i fundit i udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, për pezullimin e provave me armë bërthamore dhe të lëshimit të raketave balistike ndër-kontinentale është "sigurisht një hap në drejtimin e duhur", tha zonja Sanders, "por do të kemi nevojë për diçka pak më shumë se kaq, në mënyrë që të nisim lehtësimin e sanksioneve".

E pyetur se si e përkufizon presidenti Trump çarmatosjen bërthamore, zonja Huckabee Sanders u përgjigj se "kjo do të thotë se Koreja e Veriut nuk ka ose nuk bën prova me raketa bërthamore".

Të dielën zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga asgjë përpara takimit të tij të planifikuar me udhëheqësin e Phenianit, ndërsa Koreja e Veriut ka kufizuar tashmë prodhimin e armëve bërthamore.

Përpara takimit të planifikuar me zotin Trump, për të cilin nuk është përcaktuar ndonjë vend apo datë, Kim Jong Un-i do të takohet të premten me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in, në një fshat në kufi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG