Lidhje

Autoritetet kanadeze pas incidentit: nuk kërcënohet siguria kombëtare


Sot paraqitet në gjykatë 25-vjeçari i akuzuar se drejtoi një furgon mbi këmbësorët në qytetin Toronto, të Kanadasë, duke vrarë kështu 10 persona dhe duke plagosur 15 të tjerë. Policia e Torontos është ende duke kërkuar motivin e sulmit, ndërkohë që shefi i policisë tha se duket si një veprim vërtet i qëllimshëm.

Policia thotë se Alek Minassian, banor i rrethinave të Torontos, u arrestua pa ndonjë incident.

Mbrëmë, autoritetet u munduan të ulin shqetësimet se veprimi i të dyshuarit mund të ketë lidhje me ndonjë kërcënim më të madh.

“Ngjarja në rrugën këtu pas nesh ishte e tmerrshme, por nuk duket se ka ndonjë lidhje me sigurinë kombëtare, të paktën sipas informacionit të deritanishëm”, u tha gazetarëve Ministri për Sigurinë Publike, Ralph Goodale.

Sipas kanalit CBC, zyrtarët kanë thënë se i dyshuari nuk ka ndonjë lidhje me grupe terroriste.

Policia u ka bërë thirrje që të kontribuojnë të gjithë personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa pritet që hetimi të jetë i gjatë dhe kompleks.

Kryeministri Justin Trudeau e quajti incidentin “një sulm tragjik dhe të pakuptimtë” dhe shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe familjarët.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara “qëndrojnë përkrah popullit kanadez”, me premtimin për të dhënë çdo mbështetje që do të jetë e nevojshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG