Lidhje

Miratohet projekligjin që mbron Mullerin nga shkarkimi arbitrar


Komisioni i Senatit për Çështjet Juridike miratoi të enjten një projektligj dypartiak, i cili mbron nga shkarkimi arbitrar Prokurorin e Posaçëm, i cili po heton aktualisht ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Projektligji, i miratuar me 14 vota pro dhe 7 kundër, sistemon rregulloret e Departamentit të Drejtësisë në mënyrë të tillë, që Prokurori i Posaçëm të mund të pushohet nga Prokurori i Përgjithshëm ose i emëruari i tij, vetëm për "sjellje të papërshtatshme profesionale, braktisje të detyrës, paaftësi, konflikt interesi apo ndonjë shkak tjetër të vlefshëm".

Ai garanton mbrojtje shtesë për zyrën e Prokurorit të Posaçëm, që aktualisht drejtohet nga Robert Mueller, duke i mundësuar atij të kërkojë një shqyrtim të përshpejtuar të gjykimit për një shkarkim si dhe i kërkon atij të raportojë në Kongres mbi gjetjet në përfundim të një hetimi dhe jo tek Prokurori i Përgjithshëm.

Ligji u prezantua dy javë më parë nga dy senatorë demokratë dhe dy republikanë, pas kritikave të Presidentit Donald Trump për një bastisje nga ana e FBI-së të shtëpisë dhe zyrës së avokatit të tij personal veprim që nxiti frikën se zoti Trump mund të shkarkojë apo të urdhërojë shkarkimin e zotit Mueller.

Zoti Mueller po drejton hetimin federal lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje presidenciale amerikane dhe mbi një marrëveshje të mundshëm të fshehtë me zyrtarët e fushatës presidenciale të zotit Trump. Vetë presidenti ka mohuar çdo bashkëpunim të fshehtë dhe e ka denoncuar hetimin si një "gjueti shtrigash".

Mbështetësit e projektligjit e cilësojnë atë një fitore të sundimit të ligjit dhe në mbështetje të pavarësisë së Prokurorit të Posaçëm.

Projektligji do të përballet me një betejë të vështirë në Kongres. Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell, ka thënë se nuk është i nevojshëm miratimi i një ligji të tillë pasi sipas tij, zoti Trump nuk do ta shkarkojë zotin Mueller. Mitch McConnell ka thënë gjithashtu se nuk do të zhvillojë një votim të plotë në Senat të projektligjit.

Senatori republikan John Cornyn, një tjetër kundërshtar i projektligjit, tha se Dhoma e Përfaqësuesve nuk do ta votojë atë dhe se presidenti nuk do ta nënshkruajë edhe nëse rast se do të miratohej nga të dyja dhomat e Kongresit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG