Lidhje

Kuvendi i PD, Basha: Thirrje për bashkim


Në Shqipëri Partia demokratike miratoi sot një sërë ndryshimesh në statutin e saj gjatë Kuvendit Kombëtar të mbledhur në Tiranë. Kryetari demokrat Lulzim Basha foli për një modernizim të Partisë, një hapje të saj dhe dhënien më shumë pushtet anëtarësisë. Por ish drejtuesi demokrat Eduard Selami e quajti atë statutin më të keq, që i shërben sipas tij vetëm një njeriu, kryetarit të Partisë.

Kuvendi kombëtar i PD-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:55 0:00

Kryetari demokrat Lulzim Basha u ngjit në foltoren e Kuvendit nën brohoritje të shumta.Në fjalën e tij të gjatë, kritikat e forta ndaj qeverisë të cilat zunë pjesën dërrmuese, u gërshetuan herë me ndjesën për gabimet e së shkuarës, herë me vënien në pah të përpjekjeve dhe arritjeve të opozitës, herë me thirrjet për bashkim e herë me premtimet për ato që kjo forcë politike synon t’i ofrojë shqiptarëve.

“Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë: PO, ata kanë dështuar – por edhe ne nuk ja dolëm. Ne nuk ja dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë ti conim para drejtësisë”, u shpreh zoti Basha duke shtuar se tani demokratët janë “të gatshëm për te nisur nje tjeter rrugëtim të madh dhe të suksesshëm për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë”.

I gjendur ditët e fundit nën breshërine e kritikëve të tij, figura të njohura të Partisë, zoti Basha tha se kishte preferuar “të mos i përgjjigjem inatit dhe luftës personale me inat dhe luftë nga karrikja e kryetarit. Unë sot dua sërish nga ky Kuvend i madh, dua ti shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe të bashkohet me ne, për t’i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare as për të bërë fotografi por që së bashku të ndërtojme rrugën tonë drejt suksesit, i bindur se është më e lehtë për të ndërtuar ura sa sa për të gërmuar hendeqe”.

Zoti Basha foli shkurtimisht për ndryshimet në statut pa hyrë në hollësira: “Ne po e hapim PD-në. Sot kushdo mund të kandidojë për PD-në. Ne po u japim pushtet anëtarëve. Askush nuk mund të bëhet deputet nëse nuk është përzgjedhur nga anëtarësia. Ne po rrisim llogaridhënien e drejtuesve të partisë. Sot kushdo mund t’i kërkojë llogari dhe të kërkojë largimin e kryetarit në çdo kohë”.

Statuti, sipas hartuese të tij synon zgjerimin e demokracisë së brendshme dhe përfshirjen e antarësisë në vendimmarrje, zgjeron kompetencat e Këshillit Kombëtar, si dhe përfshinë konceptimin e garantimit të karrierës, ndërsa vlerësimi bazohet në kritere të qarta, që do të zbatohen për çdo funksionar dhe të zgjedhur në PD.

Shumica e atyre që i kanë kundërshtuar këto ndryshime nuk ishin sot në sallë, ku nuk munguan kritikat. Më i ashpri ishte ish drejtuesi i kësaj partie në mesin e viteve ’90 Eduard Selami, fjala e të cilit u shoqërua shpesh me ndërhyrje dhe fishkëllima mosaprovimi. Sipas tij në PD problem nuk ka qenë statuti por mos respektimi i tij dhe mungesa e demokracisë së brendshme. “Ky statut që nuk ka qenë ndonjëherë problemi ynë, fatkeqësisht po bëhet problemi ynë. Zoti Kryetar, ky është statuti më i keq që ka patur ndonjëherë Partia Demokratike. Me këtë statut PD do të shkojë dhe më keq akoma, se e ka kthyer PD-ën në shërbim të një njeriu, Kryetarit. Tërhiqe këtë statut. Mbaj premtimin dhe hape PD-ën. Ke dy humbje rresht. Në më pak se 5 vjet e treta për PD-ën, dhe kjo do të vazhdojë”.

Edhe anëtari i Këshllit Kombëtar, Edvin Kulluri, i cili së bashku me zonjën Edit Harxhi kishin propozuar një statut alternativ tha se “sot ju dhe ne keni një mundësi të fundit për të qenë bashkuesi i Partisë të së djathtës dhe jo humbës i saj. Partia Demokratike do ta gjejë rrugën e fitores shumë shpejt por jo duke ndjekur rrugën e Rilindjes. Nuk mund të na besojnë shqiptarët kur kërkojmë largimin e një autokrati si Edi Rama, kur vetë demokratët veprojnë në arbitraritet”.

Vërejtje të ashpra pati dhe nga dy anëtarë të tjerë demokratë, ndërkohë që pas miratimit të tij, Astrit Patozi një nga zërat që e kundërshtojnë më fort zotin Basha përmes një statusi në Facebook shprehej se e sotmja “është dita kur historia e Partisë Demokratike pritet si me thikë. Sot u legalizua gati me unanimitet kthimi në ndërmarrje private të një personi, i forcës politike, që përmbysi diktaturën komuniste”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG