Lidhje

Amerika do të këmbëngulë për vepra nga Koreja e Veriut


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo thotë se gjatë takimit të pritshëm me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, Presidenti amerikan Donald Trump do të këmbëngulë për vepra dhe rezultate nga Pheniani, dhe jo fjalë apo premtime. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, në kryeqytetin amerikan po zë vend ideja e një realiteti të ri lidhur me gadishullin korean dhe se takimi i pritshëm mund të pasohet nga zhvillime të tjera të rëndësishme.

Nuk kishte kaluar shumë nga takimi historik mes udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe të Jugut, dhe Presidenti amerikan Donald Trump e gjeti veten mes brohoritjeve të mijërave mbështetësve në një tubim në Miçigan.

Pjesmarrësit me brohoritjet e tyre linin të kuptohej se nëse realizohet çnuklearizimi i Koresë së Veriut, kjo arritje duhet të shpërblehet me çmimin Nobel të Paqes. Megjithatë, administrata Trump po thekson se ndaj Koresë së Veriut duhet një qëndrim realist, jo i bazuar thjesht tek shpresat.

“E dimë historinë; i dimë rreziqet... Do t’i kërkojmë Koresë së Veriut të ndërmarrë hapa që tregojnë se çnuklearizimi do të arrihet. Nuk do të pranojmë premtime; nuk do të pranojmë fjalë. Do të kërkojmë vetëm vepra”, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Presidenti Trump nuk po bën premtime.

“Duhet çnuklearizimi! Do të shohim si do të shkojë. Por, le të ndodhë çtë ndodhë. Ndoshta unë mund të shkoj dhe gjërat të mos zgjidhen. Atëherë unë do të largohem. Nuk do të bëhem si John Kerry që nënshkroi një marrëveshje të tmerrshme me Iranin”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka kritikuar prej kohësh marrëveshjen bërthamore me Iranin. Gjatë javëve të fundit, zyrtarët të shumtë amerikanë kanë sinjalizuar se Amerika synon të tërhiqet nga marrëveshja. Disa ligjvënës besojnë se ky do të ishte një gabim.

“Nëse braktisim marrëveshjen me Iranin, ndërsa iranianët po e zbatojnë, do të ishte naive të mendonim se ky veprim nuk do të ndikonte tek besimi që kanë koreanoveriorët, për më tepër besimi i gjithë botës tek fjala e dhënë nga SHBA”, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Zoti Schiff pranoi se “paparashikueshmëria” dhe “antagonizmi” i Presidentit Trump mund të ketë ndihmuar për ta sjellë Korenë e Veriut në tryezën e negociatave, por ai paralajmëroi se Pheniani ka një histori të gjatë zhvendosjesh nga toni pajtues në atë konfrontues.

Për momentin, Koreja e Veriut po thekson angazhimin e saj ndaj diplomacisë.

Folësja e lajmeve shtetërore të Koresë së Veriut njoftoi se Veriu dhe Jugu kanë qëllimin e përbashkët për një gadishull pa armë bërthamore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG