Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Gina Haspel, kandidatja më e mirë për të drejtuar CIA-n


Shtëpia e Bardhë i ka dalë në mbrotje drejtores në detyrë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Gina Haspel duke thënë se ajo është njeriu i duhur për këtë detyrë. Të mërkurën pritet të mbahet seanca dëgjimore për miratimin e saj.

"Ajo është 100 për qind e përkushtuar të shkojë përpara në këtë proces, duke u zgjedhur si drejtuesja e ardhshme e CIA-s", tha të hënën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders.

Një nga emrat e sprovuar të agjencisë, 61-vjeçarja Haspel u ofrua të tërhiqej nga procesi i shqyrtimit për drejtimin e agjencisë, mes shqetësimeve rreth përfshirjes së saj në programet e ashpra të marrjes në pyetje që janë zbatuar më parë. Por sipas zyrtarëve të administratës presidenti Donald Trump e ka inkurajuar atë të mos tërhiqet.

"Ajo dëshiron të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur të paprekur integritetin e CIA-s. Dhe nëse mendon se emërimi i saj do të ishte problem për agjencinë, atëherë ajo do bënte çfarë kishte në dorë për të mbrojtur agjencinë", tha zonja Sanders.

Të hënën, sipas një zëdhënësi të CIA-s, agjencia i dorëzoi Senatit "një sërë dokumentesh të klasifikuara, në mënyrë që çdo senator të mund të rishikojë të dhënat aktuale apo në proces të drejtores së përkohshme të agjencisë. Këto dokumente mbulojnë në terësi karrierën e saj, përfshirë dhe periudhën kur ka shërbyer në Qendrën e CIA-s Kundër Terrorizmit në vitet pas 11 shtatorit 2001. Ne inkurajojmë çdo senator të lexojë gjithë dokumentacionin".

Sipas disa njoftimeve, të premten e kaluar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë shkuan për ta takuar Gina Haspelin në selinë e agjencisë në Langlei të Virxhinias, me qëllimin për ta bindur atë të mos tërhiqet.

Të hënën zoti Trump tha se Gina Haspel "po sulmohet, sepse ka qenë shumë e ashpër me terroristët".

Në një postim në twitter Presidenti shkroi: "në këto kohë shumë të rrezikshme, ne kemi personin më të kualifikuar, një grua, të cilën demokratët nuk e duan, sepse ajo është shumë e ashpër ndaj terrorit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG