Lidhje

Akuzat e PD për ministrin Xhafaj


Në Shqipëri, Partia demokratike ju rikthye sot në parlament akuzave ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, se ka marrë në mbrojtje vëllanë e tij, të dënuar në vitin 2012 në Itali me 7 vite e dy muaj burg për pjesmarrje në organizata kriminale të cilat merreshin me trafik lëndësh narkotike. Sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha ai duhej arrestuar dhe esktraduar. Por kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ka patur asnjë kërkesë nga pala italiane. Megjithatë opozita lëshoi dhe një tjetër akuzë, kur u shpreh se sipas saj, zoti Xhafaj, kur mbulonte detyrën e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve, ka ndërhyrë për të ndryshuar një nen të Kodit të procedurës penale, vetëm për të mbrojtur të vëllanë.

Akuzat e PD për ministrin Xhafaj
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:18 0:00

Për opozitën sot në parlament kishte vetëm një cështje, atë të nisur prej saj një ditë më parë e që lidhej me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i arrestuar në Itali në vitin 2002, si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, dhe i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg nga Gjykata e Apelit të Lecce-s, vendim i konfirmuar një vit më vonë dhe nga Gjykata e Kasacionit. Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi direkt ministrin se ka marrë në mbrojtje të vëllanë i cili siç tha ai, është i dënuar por nuk ka vuajtur asnjë ditë dënimin. "Eshtë detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7 vjet e dy muaj burgim”, deklaroi zoti Basha.

Ministri i Brendshëm, i cili ka folur disa herë publikisht për këtë cështje, edhe mbrëmë deklaroi se “kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje.”

Edhe sot në sallën e parlamentit, të cilën demokratët e brakstisën pas fjalës së kryetarit Basha, kryeministri Edi Rama tha se “nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale nga autoritetet e vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare për 6 vjet me radhë. Asnjë kërkesë”

Por ashtu siç paralajmëroi në fjalën e tij zoti Basha, më vonë nga selia e Partisë demokratike, ndaj ministrit të Brendshëm u lëshua një tjetër akuzë. Sipas demokratëve, duke shfrytëzuar pozicionin si kryetar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, zoti Xhafa ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim në kodin e procedurës penale që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. Por sipas demokratëve që ju referuan dokumentave të parlamentit, propozimi i mëparshëm ka patur një tjetër formulim sipas të cilit, ekstradimi nuk kryhet kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar.”, duke parashikuar në këtë rast se "Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij”.

Ky formulim ka marrë sipas ekspertit ligjor demokrat Gazmend Bardhi miratimin e Komisionit të Ligjeve, por është hequr në momentin kur projekti i ka shkuar seancës për miratim. “Ky version, që është kontrabanduar për miratim seancës plenare në datën 30.03.2017, nuk është produkt i diskutimeve në mbledhjet e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndryshimi sipas këtij versioni të miratuar, është bërë pas votimit nga Komisioni, personalisht nga Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj. Është e qartë se pas këtij ndryshimi fshihet një dhe vetëm një çështje. Shpëtimi i Agron Xhafajt nga drejtësia. Fatmir Xhafaj është përpjekur ta fshehë ndryshimin që kishte falsifikuar”, u shpreh Bardhi.

Sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, zoti Xhafaj ka konsumuar veprat penale të korrupsionit të zyrtarit të lartë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG